Kjo video 7-minutëshe është pasqyrë e një sulmi fizik që gazetaret e portalit Lajmi.net, Lindita Berisha e Fjolla Hyseni, përjetuan përreth 1 orë të mërkurën pasdite.
Ato u sulmuan nga një çift në Prishtinë, pasi kishin xhiruar sulmin që çifti kishte ushtruar fillimisht ndaj shoferit të taksit, me të cilin kishin udhëtuar.
“Ka vazhduar duke na mbajt peng, çka është më e keqja nuk na ka lanë me u largu, faktikisht na ka sulmu vazhdimisht qysh shihet edhe në video, edhe ideja ka qenë që është munduar me na i marr telefonat, edhe me na i fshi pamjet që shihet tu e sulmu taksistin, edhe megjithatë ka vazhdu për një kohë të gjatë e njëjta situatë”, tha Lindita Berisha, gazetare.
Berisha edhe gjatë së enjtes ishte në stacionin policor, tek thotë se zyrtarët policor u vonuan në reagimin e tyre për rreth 40 minuta dhe se e neglizhuan rastit.
“Nuk janë marr me çështjen se qysh është dashur me u marr, vetë faktin që personi në fjalë që na ka sulmuar, çohet në mëngjes herët edhe thirr në telefon të redaksisë edhe kërkon me i largu pamjet, u kanë prap shqetësues për mua sepse e din që ai person është i lirë, dhe ndjehem e kërcënuar”, tha Berisha.
E arrestimi i gruas që në video shihet qartë, se si sulmon gazetaret e i mban peng, u bë vetëm pas reagimeve e publikimit të videos.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se njërin nga të dyshuarit e kishte riintervistuar dhe tek pastaj kishte lëshuar aktvendim për ndalimin e gruas që sulmoi gazetaret.
“Prishtinë, 4 prill 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me sulmin ndaj të dëmtuarave-gazetareve se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe grumbullimit të provave shtesë, si dhe riintervistimit të njërit nga të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., e dyshuar për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas KPRK-së. E njëjta është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa është intervistuar edhe një person i dyshuar i përfshirë në këtë rast. Po ashtu, në këtë çështje penale janë marrë deklaratat e palëve të dëmtuar dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore”, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Shqetësues sulmin po e konsiderojnë edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
“Agresiviteti, brutaliteti i sulmit është i tmerrshëm i papranueshëm, e dënojmë fuqishëm dhe kërkojmë nga Policia dhe Prokuroria trajtim urgjent, të rastit, kjo besoj në fakt në vazhdimësi e një klime të rënduar të të bërit gazetari në Kosovë, të një klime sipas të cilës gazetarët janë armiq, që është shumë e rrezikshme”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.
Ndërsa, nga Policia në Prishtinë, shkurt kanë thënë se kanë iniciuar rast për lëndim të lehtë trupor dhe se të gjitha veprimet tutje merren me koordinim me Prokurorinë.