Pas raportimit të Dukagjinit anulohet konkursi i gradimit për rreshter

Policia e Kosovës njoftoi se ka marrë vendim të anulojë konkursin për gradim në gradë ne rreshterit, që ishte shpallur më 12 shkurt të këtij viti. Në një njoftim për media, Policia tha se procesi për gradim ka qenë i rregullt, me përjashtim të disa procedurave teknike e administrative. Policia tha se do t'i marrë për bazë rekomandimet e Inspektoratit Policor

Seria e raportimeve që bëri TV Dukagjini që nga muaji maj të këtij viti është konfirmuar gjatë ditës së hënë [dje]. Bëhet fjalë për keqpërdorimet në procesin e gradimit brenda Policisë së Kosovës dhe për qëllim kishte gradimin e “Policëve të Lartë” në “Rreshter” pozitë për të cilën ishin vetëm 355 vende të lira dhe për të aplikuan mbi 2200 persona. Në mesin e tyre ishin edhe gjenerata e 54 e Policisë së Kosovës, së cilës iu lejua aplikimi në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Procesin e Gradimit.

Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media ka njoftuar se “me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, është anuluar konkursi për gradimin në gradën rreshter”.

Policia tha se do t’i marrë për bazë rekomandimet e Inspektoratit Policor.

“Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja. Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024”, thuhet në njoftim.

Policia tha se disa kandidatë kanë shprehur pakënaqësi për procesin e përgatitjes dhe mbarëvajtjes së konkursit, duke shtuar se këtij procesi i është bërë inspektim i jashtëzakonshëm.

Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.

“Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Sipas PK-së bazuar edhe në rekomadimet nga IPK-ja do të nisin përgaditjen për hapjen sa më shpejtë të konkursit të ri.

IPK konfirmon raportimet Dukagjinit, kishte lëshime në konkursin për gradim

 

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me menaxhimin e procesit të gradimit për rreshterë, pas shqetësimeve të ngritura mbi rregullsinë e këtij procesi.

Më herët, raportime nga Dukagjini sugjeronin se kishte pasur parregullsi në testimin me shkrim të mbajtur në fillim të muajit maj, përfshirë favorizime të mundshme për familjarët e eprorëve.

Raporti i IPK-së thekson se procesi i gradimit është shoqëruar me disa dobësi në fazën e konkurrimit, duke ngritur shumë shqetësime dhe ankesa.

Raporti i plotë: RAPORT I INSPEKTIMIT NR. 02-2024 – VLERËSIMI I MENAXHIMIT TË PROCESIT TË GRADIMIT PËR RRESHTER

IPK-ja nënvizon nevojën për rishikimin e bazës ligjore aktuale për të harmonizuar udhëzimin dhe programin e trajnimit themelor, si dhe për respektimin e kritereve të aplikimit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i raportit është përfshirja e kriterit etnik gjatë krijimit të paneleve vlerësuese, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e kandidatëve nga etnitë e tjera. Edhe pse mbarëvajtja e testimit nuk evidentoi ndonjë dobësi të madhe, raporti thekson nevojën për përgatitje më cilësore të procesit nga ana teknike.

“Procesi i gradimit është përcjellur me disa dobësi në fazën e konkurrimit, si rezultat i të cilave janë ngritur shumë shqetësime dhe ankesa lidhur me këtë fazë.

Vihet në pah nevoja e rishikimit të bazës ligjore aktuale, duke marrë parasysh nevojën e harmonizimit të Udhëzimit dhe Programit të trajnimit themelor, si dhe respektimit të kritereve të aplikimit.

Respektimi i kriterit etnik gjatë krijimit të panele vlerësuese duhet të merret parasysh varësisht prej proceseve të gradimit dhe pjesëmarrjes së kandidatëve nga etnitë e tjera. Mbarëvajtja e testimit nuk ka evidentuar ndonjë dobësi përveç nevojës për përgatitje më cilësore të procesit i përket aspektit teknik”, thuhet në raportin e IPK-së.

IPK-ja ka dhënë tetë rekomandime kryesore për Policinë e Kosovës:

“IPK i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të rishikojë harmonizimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2019 për Procedurën e Gradimit për Zyrtarët Policor, me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, duke qartësuar edhe rrugëtimin e personelit nga grada “kadet” deri në gradën “polic i lartë”.

IPK i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës që në të ardhmen gjatë përgatitjes së shpalljeve të konkurseve për këtë gradë, të përfshijë edhe kohën e qëndrimit minimal në gradë në mesin e kritereve të aplikimit, drejt respektimit të plotë të kërkesave të Udhëzimit.

IPK i rekomandon Drejtorit të Divizionit të Personelit dhe Administratës që të përkujdeset në aspektin administrativ për kalimin me kohë të zyrtarëve policor nga grada kadet deri në gradën polic i lartë, duke respektuar afatet e parapara me Udhëzim.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore që të sigurohet se sistemi PRIMS aplikon masat kufizuese për filtrimin e aplikimeve që nuk plotësojnë kriteret për t’iu nënshtruar proceseve të gradimit. Në raste kur aplikimet kryhen në mënyrë fizike, të sigurohet se ndiqen rregullat e aplikimit, përfshirë dhe shqyrtimin dhe verifikimin e historikut disiplinor dhe penal të kandidatëve.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore që të sigurohet se në proceset e gradimit respektohet parimi i përfshirjes në panele edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike.

IPK i rekomandon Kryesuesit të Komisionit të procesit të gradimit dhe Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës që në të ardhmen të sigurohen që kandidatët gjatë aplikimit të kenë të kryer vlerësimin e performancës, si një nga pikat e vlerësimit brenda procesit të gradimit.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore, Kryesuesit të Komisionit të procesit të gradimit që të sigurohet se anëtarët e paneleve vlerësuese kuptojnë detyrat lidhur me procesin e testimit me shkrim, si dhe kanë njohuri të nevojshme për plotësimin e evidencave lidhur me materialet e testimit (formularët).

IPK i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar këtë raport si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë”, thuhet në raportin e IPK-së.

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika