Pas rastit në Pejë, a mund t’u besojnë më qytetarët Qendrave të të moshuarve?

Rasti i së moshuarës në Pejë, sipas sociologëve dhe psikologëve konsiderohet ngjarje traumatike, e cila përveç traumës psikologjike të viktimës, ndikon negativisht edhe te personat të cilët mendojnë që në të ardhmen t'ua besojnë prindërit shtëpive për përkujdesje ndaj të moshuarve

Pamje nga Qendra “Orenda" në Pejë, ku kishte ndodhur sulmi i i së moshuarës





Videoincizimi ku shihen disa infermiere në një qendër për të moshuar në Pejë duke e keqtrajtuar mizorisht një grua të moshuar, e cila është edhe nëna e dëshmorit Taulant Nuraj, ka sjellë shqetësime të mëdha si dhe mllef ndaj të dyshuarave që tashmë janë arrestuar.

“Këto vajza të cilat me aq lehtësi e ushtronin dhunën dhe argëtoheshin më dhunë, me siguri sepse kanë pasur dhunë në familjet e tyre. Pra, kanë parë dhunë në familjet e tyre, sepse u dukej normale kjo punë. Pasi, kur ka dhunë në familje, atëherë jashtë familjes u duket normale, argëtim”.

Këto janë fjalët e sociologut, Jeton Brajshori, i cili ka treguar se kjo dhunë e shfaqur nga infermieret në fjalë, shpërfaq një gjë e cila ka qenë e zhvilluar shumë më herët, e që sipas tij, është dhuna në familje.

Po ashtu, Brajshori tha se keqtrajtimi ndaj së moshuarës, nga ana e infermiereve ishte “puro argëtim”.

Jeton Brajshori, sociolog

“Ne e pame të gjithë se si e moshuara nuk ishte në gjendje të sulmojë askënd për shkak të moshës dhe lëvizte, por mbrohej me aq sa kishte mundësi. Ndërsa sulmi i infermiereve ishte puro argëtim”, tha Brajshori për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, ai tha se ky rast duhet të shërbejë për vetëdijësimin e institucioneve të cilat e kanë për detyrë që t’i monitorojnë dhe t’i inspektojnë këto strehimore dhe sipas tij, duhet urgjent që personat përgjegjës të dërgohen në gjykatë.

Tashmë, pas këtij rasti Brajshori beson se të gjithë qytetaret të cilët kanë familjarë në këto institucione nuk ndihen rehat, dhe se besimi në to do të bjerë dukshëm.

“Besimi do të bjerë dukshëm pas këtyre pamjeve tmerruese që kemi parë sot. Faktin e bën edhe më të rëndë sepse është institucion privat, pra paguhet që të ketë kushte sa më të mira, ndërsa në rastin në fjalë ndodh e kundërta”, u shpreh ai.

Me bindje gjysmë të plotë, Brajshori tha se duke parë incizimet dhe fjalët që thuhen aty, e moshuara mund të ishte keqtrajtuar edhe më herët e në të njëjtën mënyrë edhe pacientët e tjerë.

Ndërsa, për komentet e shumta që i fajësojnë fëmijët e prindërve që dërgojnë ata në institucione të tilla, Brajshori tha se nuk duhet të gjykohen fëmijët që i dërgojnë prindërit aty. Pasi sipas tij, mund të jenë me punë të ndryshme nuk mund t’u përkushtohen sa duhet.

Pra, nga ana e tij është qasje e gabuar të fajësohen fëmijët, “fajtori kryesor është dhuna e cila shpesh ndodh edhe në shtëpi”.

Cilat janë pasojat psikologjike që lë ky rast tek e moshuara?

Psikologu, Leutrim Edipi, tha se abuzimi ndaj së moshuarës ndikon në çrregullim psikologjik, dhe pas përballjes me një situatë të tillë nga viktima pritet rritje e frikës konstante, rritjen e incidencës së depresionit, ankthit, atak të panikut dhe çrregullimit të stresit posttraumatik.

Leutrim Edipi, psikolog

Ai për Portalin Dukagjini tha se të gjithë këto e afektojnë edhe gjendjen shëndetësore të së moshuarës, pasi sipas tij, shëndeti fizik dhe mental janë dy entitete të pandashme.

Ndërsa, Edipi tregoi për arsyen e ndërmarrjes së veprimeve të tilla si rasti në fjalë, duke thënë se përveç normave sociale mbi perceptimin e dhunës si diçka normale nga ana e tyre, ndikon edhe mënyra se si personi është rritur dhe tiparet e personalitetit.

“Edhe pse ekzistojnë edhe një varg faktorësh të tjerë të cilët nuk mund të konkludojmë pa bërë vlerësim të dhunuesit, e rëndësishme është të potencohet që ekziston nevojë imediate për monitorim dhe vlerësim cilësor të stafit përbrenda institucioneve që ofrojnë shërbime të tilla.

Gjithashtu, ai tha se është e pashmangshme edhe nevoja për investim të institucioneve relevante në ngritje të kapaciteteve profesionale të stafit të angazhuar në raport me rritjen e mirëqenies psikologjike të të moshuarve, që sipas tij, është moshë mjaft delikate dhe që meriton kujdes të veçantë dhe dinjitoz.

Edhe psikologu në fjalë vlerësoi njësoj si Brajshori se në video tregohet qartë perceptimi i dhunës si diçka normale, që sipas tij, kjo gjë specifikisht mund të jetë edhe në institucionin konkret.

“Gjasat janë që kjo formë e dhunës të jetë duke u ushtruar në mënyrë konsistente në atë institucion”, deklaroi ai.

Foto ilustrim

Rëndësia e një psikologu në shtëpitë e pleqve

“Institucionet për përkujdesje të pleqve kanë nevojë që të kenë të angazhuar psikolog të kualifikuar dhe të përgatitur me shkollimin dhe përvojën adekuate, ku ata duhet të njohin në thelb vështirësitë të cilat mund të shfaqen në këtë periudhe jetësore dhe qasjet adekuate ndaj tyre, për shkak që në këtë moshë predispozita për të zhvilluar sëmundje të ndryshme të cilat afektojnë funksionimin e përditshëm është më e lartë, atëherë ata mund të kontribuojnë duke ofruar mbështetje të duhur emocionale për një mirëqenie sa më të mirë”.

Ndërsa, Edipi tha se përveç trajnimeve për punën profesionale, psikologu ka rol kyç edhe në mbështetjen emocionale të stafit të angazhuar në Institucione që ofrojnë shërbime të tilla.

Sociologu dhe psikologu në fjalë u shprehen njësoj në lidhje me ndikimin e këtij rasti tek institucionet e tjera, pasi sipas tyre, raste të tilla të dhunës ndaj të moshuarve kontribuojnë negativisht edhe në perceptimin dhe uljen e besueshmërisë ndaj institucioneve që ofrojnë shërbime në vendin tonë.

Petrit Thaçi, psikolog dhe psikoterapeut

Ndërsa, psikologu dhe psikoterapeuti, Petrit Thaçi, për Portalin Dukagjini, tha se agresioni i orkestruar me dashakeqësi e dhunë paraqet prishje serioze të ekuilibrave të personalitetit njerëzor.

Në disa raste të tjera, sipas tij, konsiderohet si çrregullim i personalitetit narcistik, i cili karakterizohet me ndjenjën e një admirimi të tepruar për veten dhe si rrjedhojë nevojën për të përulur e poshtëruar të tjerët, sidomos atëherë kur nuk na binden.

“Shfaqja e rastit të dhunës ndaj së moshuarës në qendrën për kujdesin e të moshuarve vë në pah dhe shpërfaq mosfunksionalitet të plotë në vizionin, qëllimin dhe menaxhimin e këtij institucioni. Akt anjerëzor dhe aligjor”, u shpreh ai.

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj së moshuarës dhe sjelljen jonjerëzore të infermiereve, që ka ndodhur në Shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Sipas njoftimit të MSH-së, Inspektoriati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor.

“Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë”, thuhet tutje në njoftim.

Doktori i Qendrës për të Moshuar, ku u keqtrajtua fizikisht dhe psikikisht një grua nga një infermiere në moshë të re, ka thënë se gjendja e viktimës është e mirë, dhe se sipas tij, nuk ka lëndime.

Islam Husaj theksoi se në të kaluarën nuk ka pasur raste të ngjashme sikurse ky i fundit, teksa ka shtuar se familjarët e të moshuarve me këmbëngulësi kërkojnë që prindërit e tyre të qëndrojnë në qendrën e tyre.

Ndryshe, Erzen Valla, dhëndri i gruas së moshuar, e cila u keqtrajtuar nga një infermiere në një qendër për të moshuar, ka thënë se rasti ka ndodhur para katër ditësh, dhe se familjarët nuk kanë mundur të kuptojnë nga ajo se ka qenë e keqtrajtuar, sepse sipas tij, gruaja vuan nga sëmundja e alzheimerit, sëmundje kjo që shkakton harresë.

Fillimisht, nga Policia e Kosovës është arrestuar vajza e cila shihej duke përdorur dhunë fizike ndaj gruas, si dhe përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mosraportim të rastit. Pos këtyre dy personave, është ndaluar edhe personi i tretë për incizim të paautorizuar.

Policia e Kosovës është autorizuar që ta intervistojë të gjithë personelin e Qendrës për të Moshuar ku ka ndodhur rasti dhe po ashtu të gjithë pacientët e kësaj qendre. Hetimet nga ana e tyre janë duke vazhduar.

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika