Të martën e 30 gushtit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
“Kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z.Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, ka shkruar Svecla në Facebook.
Ai ka thënë se kjo kërkesë nga Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.
“Me këtë rast falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”, ka vijuar ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës, të martën e 30 gushtit ka njoftuar se është duke e intervistuar edhe personin e pestë të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Sipas policisë, veprimet e mëtejme lidhur me të dyshuarin do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Arrestohet i dyshuari i pestë për dhunimin e 11-vjeçares, intervistohet nga policia