Komisioni Komunal Zgjedhor i Bujanocit ka refuzuar ankesën e socialistëve pas zgjedhjeve të 3 prillit, si pasojë e mungesës së ndonjë dëshmie ligjore nga Partia Socialiste e Serbisë për pretendimet e tyre për parregullsi në zgjedhje, në Tërnovc të Madh, komuna e Bujanocit.
Kreu i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, është shprehur se “ankuesit do e kuptojnë situatën, se nuk ka pasur parregullsi dhe nuk do ta vonojnë të gjithë procesin”, transmeton Telegrafi përcjell RTV Dukagjini.
Humbja e një mandati nga Partia Socialiste e Serbisë do shkaktohej sipas rezultateve të zgjedhjeve të përsëritura në Tërnovc të Madh, ku koalicioni i shqiptarëve duhet të ketë një mandat në Kuvendin e Serbisë.
“Epo, është e qartë se socialistët po humbasin një mandat për këtë, dhe shpresoj që zvarritja e tyre të mos jetë e motivuar etnikisht. Mbi 13 mijë votat që mori lista jonë është një tregues i qartë se shqiptarët duan integrim. Anulimi eventual i zgjedhjeve do të jetë sinjal për ne se ka forca në Serbi që i shqetëson kjo”, ka thënë Kamberi.
Komisioni Komunal Zgjedhor, në përbërje të përhershme dhe të zgjeruar votoi me një rezultat tetë me pesë, kundër ankesës së socialistëve.
Ky vendim ka hapur rrugë për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve më 3 prill dhe më pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Serbisë, po ashtu SPS-ja ka të drejtë ankese në Komisionin Zgjedhor të Serbisë brenda 72 orëve.
Reagimi ka ardhur edhe nga Ivica Daçiq, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë.
“Po, do të ankohemi për vendimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Bujanocit, i cili na e ka refuzuar kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnovc të Madh për shkak të parregullsive zgjedhore”, ka thënë Daçiq.