Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti ka pasur një takim dhe një drekë pune me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, më 01.03.2024.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi është diskutuar për formimin e bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e ekonomisë, të tregtisë e të teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale.
Gjithashtu, sipas njoftimit, u diskutuan mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Duke u shprehur falënderues për mikpritjen që ka pranuar në Dublin dhe për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë”- thuhet në njoftim.
ZKM-ja bën të ditur se kryeministri Kurti ka falënderuar kryeministrin irlandez Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.