Pas tensioneve dhe kritikave, të enjten u miratua koeficienti në Kuvendin e Kosovës

Pas shumë kritikave dhe tensioneve lidhur me shifrën e koeficientit, dhe pas propozimit të vlerës nga ana e Qeverisë së Kosovës, koeficienti është miratuar të enjten e 9 shkurtit në Kuvendin e Kosovës

Foto ilustruese: Qeveria e Republikës së Kosovës

Të enjten e 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar me 63 vota për, ndryshimet në Ligjin e Buxhetit për vitin 2023.

Ky vendim parasheh që koeficienti për pagat të jetë 105 euro, i cili ishte edhe propozim i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, pagat e muajit shkurt tashmë do të dalin duke u bazuar në Ligjin e ri të Pagave.

Që një kohë të gjatë, çështja e koeficientit ka ngritur përplasje e debate në Kuvend, mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës.

Lidhja Demokratike e Kosovës pati propozuar që koeficienti i pagave të jetë 125 euro, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës është shprehur se duhet të jetë 132 euro.

Lidhur me këtë ligj ka pasur pakënaqësi në shumë sektorë, madje 18 ankesa janë deponuar te Avokati i Popullit.

Propozimi i Qeverisë për vlerën e koeficientit

Më 1 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Qeverisë të asaj dite, është thënë se vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave do të jetë 105 euro.

Ndërsa, ka theksuar se në janar të vitit 2024, ajo do të jetë 110.

“Është arritur te vlera e koeficientit për 2023, dhe ai është 105, ndërsa në janar të vitit 2024, do të jetë 110”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vlera e koeficientit është përcaktuar në bazë të kalkulimit, dhe se është bërë një punë që mundëson një planifikim më të saktë edhe në vitet në vijim.

“Koeficienti është përcaktuar në bazë të kalkulimit, dhe me anë të tij krijohet mundësia që të ketë fleksibilitet”.

“Koeficienti për këtë vit do të jetë 105 euro, e pastër pa shtesa, ndërsa 110 pritet të jetë në vitin 2024”.

Ai ka thënë se përveç koeficientit të pastër që është 105 ka edhe shtesa që përbëjnë afërsisht 12 përqind, të cilat varësisht prej punës, bazohen në ato si kushtet e tregut, rrezikshmërinë në punë e të tjera.

Po atë ditë më 1 shkurt, opozita e ka lëshuar Kuvendin e Kosovës, duke e kundërshtuar vlerën e koeficientit.

Pra, në shenjë revolte, deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar, pasi ka thënë që është koeficient që e rrit mjerimin.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se janë të zhgënjyer me vlerën e koeficientit, të cilën e ka bërë publike Qeveria e Kosovës.

“Ky është një koeficient i mjerimit, ky është një koeficient që e thellon varfërinë në vendin tonë, ky është një koeficient që është mbajtur fshehur nga kryeministri i vendit për më se 82 mijë zyrtarë publikë, ky është një koeficient, i cili i demotivion të gjithë ata të rinj e të reja, të cilët duan të jenë pjesë e administratës shtetërore, qofshin pjesë e policisë, qofshin ushtrisë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, është shprehur se koeficienti i pagave nuk adreson as për se afërmi çështjen e inflacionit, ndërsa, sipas tij, së paku është dashur të adresohet çështja e inflacionit.

Po atë ditë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka quajtur Qeverinë Kurti një Qeveri të mashtrimeve.

Kadrijaj ka shtuar se është dashur diskutim publik lidhur me vlerën e koeficientit.

“Nga këto veprime të Qeverisë keni ardhur në Qeveri me mashtrime. Po vazhdoni të mashtroni, ju nuk dini gjë tjetër vetëm të mashtroni. Po a po ju vjen turp se kur është miratuar për herë të parë me koeficient 129, keni qenë ju që nuk e keni përkrahur. Është dashur të ketë diskutim publik për atë koeficient, por ju e keni mbajtur të fshehtë. Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.

Reagimet e pozitës dhe opozitës

Reagimi i Ramush Haradinajt (AAK)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas miratimit të vlerës së koeficientit në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën.

Sipas Haradinajt, koeficienti është alarmues dhe mashtrues.

“Ligii, sipas këtij koeficent,i ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkaq, ka theksuar se me vendimin për koeficientin, Qeveria “i ka vendosur vulën mashtrimit”.

“Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zërë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i Qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji, i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, ka shtuar Haradinaj.

Reagimi i Blerta Deliut (PDK)

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë se koeficienti për rritjen e pagave është një i atillë për rritje të varfërisë.

Një reagim i tillë ka ardhur pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt, ka deklaruar se vlera e koeficientit për vitin 2023 është arritur në 105. Sipas Deliut, koeficienti paraqet përshpejtimin e ikjes së profesionistëve nga institucionet shtetërore.

“Ky nuk është koeficient për rritjen e pagave, ky është koeficient për rritje të varfërisë, të depresionit koletiv, të pasigurisë. Ky është koeficient i ikjeve të të rinjve! Ky është konficient i përshpejtimit të ikjes së profesionistëve nga institucionet shtetërore, duke e dobësuar sistemin shtetëror të Kosovës. Kështu goditen policët, mësuesit, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët tjerë! #GjithçkaShtrenjtë , #PagatNjëjtë”, ka shkruar Deliu.

Reagimi i Memli Krasniqit (PDK)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka kritikuar në një postim në Facebook, vendimin e Qeverisë së Kosovës për koeficientin e pagave në vlerë prej 105 eurove. Krasniqi ka theksuar se ky vendim cenon mirëqenien e qytetarëve e si pasojë mund të nxisë largimin e qytetarëve nga Kosova.

Ai e ka quajtur një goditje afatgjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës, që punojnë në sektorin publik dhe e ka cilësuar si manipulim dhe lojë fjalësh.

“Për më tepër, ky vendim është thirrje për rritje të numrit të atyre qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi dhe, rrjedhimisht, përcaktim për dëmtimin e ekonomisë dhe funksionalitetit të shtetit tonë”, ka vlerësuar Krasniqi.

“Të gjithë, pa përjashtim, kanë merituar më shumë sesa kjo Qeveri u ka ofruar. Ky vendim, në krahasim me krizën ekonomike dhe inflacionin e madh, nuk u plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Reagimi i Ferat Shalës (PDK)

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kërkuar më 2 shkurt nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë në lidhje me përcaktimin e vlerës së koeficientit, duke propozuar që kjo vlerë të jetë të paktën 120 euro.

Shala e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për rritjen e faturave të tatimit në pronë, duke i quajtur këto si “skandale të fundit”.

“Në kohën e inflacionit të lartë, krizës energjetike, kur ende nuk kemi ligj për pagën minimale, heshturazi Ministria e Financave nxjerr këto dy skandale, për tatimin në pronë dhe vlerën e koeficientit”, ka thënë Shala.

Sipas tij, caktimi i koeficientit është jomeritor për qytetarët e vendit, pasi, siç është shprehur ai, nuk e zgjedh problemin e atyre që nuk janë përfitues.

Reagimet e sektorëve që prekën nga vlera e koeficientit

Ekonomistët, mantelbardhët dhe sektori i sigurisë janë ata që u prekën më së shumti nga vlera e caktuar e koeficientit dhe reaguan lidhur me një vlerë të tillë.

Koeficienti i ri, ekonomistët thonë se shtesat nuk po përmenden

Zërin e ngritën më së shumti për rritjen e pagave të tyre. Punonjësit në sektorin e arsimit, të pakënaqur me pagat e tyre përballë rritjes së çmimeve u futën në grevë në fillim të vitit shkollor, dhe e pezulluan atë vetëm pas 1 muaji.

Por zhvillimet e ditëve të fundit, përderisa janë në pushim ndërmjet gjysmëvjetorëve, megjithatë, nuk janë pritur me shumë entuziazëm.

“Duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendemi, kjo rritje është një llojë rritje simbolike, të mos them e kënaqshme hiç, se çdo ditë e më tepër buxheti familjar po bie në minus”, ka thënë Nehar Shasivari, zëvendësdrejtor i “Dardania”.

Mësimdhënësit në shkollë fillore me koeficientin e ri do të paguhen 588 euro, nga 421 sa paguheshin deri në këtë muaj, ndërsa një mësimdhënës në shkollë të mesme të lartë nga 459 euro, do të marrë 609.

Edukatorët do të kenë pagë prej 546 eurosh, nga 393 sa e kanë aktualisht.

Gjithsesi, sipas ekonomistit Erton Bega, ka një problem në procedimin e këtij ligji.

“Ajo çka mbetët në pikëpyetje është lidhur me shtesat që i kanë marrë sektor të ndryshëm, siç është sektori i arsimit me shtesën e kualifikimeve, sektori i sigurisë me shtesën e rrezikshmërisë dhe sektorët tjerë deficitet, të cilët duhet të përcaktohen me udhëzime administrative ose akte të tjera nënligjore, pra ka një konfuzion në publik se sa do të jetë paga që do ta marrin”, ka thënë Bega.

Mësimdhënësit, bashkë me punëtorët e tjerë të sektorit publik, pagën me ndryshime pritet ta marrin gjatë këtij muaji.

“Plotësimndryshimi i ligjit për buxhet që parasheh vlerën e koeficientit tashmë është proceduar nga Qeveria për në Kuvend. Presim që Kuvendi ta trajtojë dhe miratojë atë me shpejtësinë e nevojshme. Ligji për Paga në Sektorin Publik hyn në fuqi më 5 shkurt. Pagat e reja aplikohen duke filluar nga ky muaj”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

Sindikata e Arsimit, gjatë së mërkurës, theksuan se nuk e kanë ndërmend që të kërkojnë që ligjin për pagat ta dërgojnë në Kushtetuese, pasi, sipas tyre, përmbushej një prej kërkesave për rritje të pagave prej së paku 100 eurosh.

Mantelbardhët të pakënaqur me koeficientin e e pagave, kërkojnë shtesa deri në përfundimin e pandemisë COVID-19

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) kanë bërë të ditur se janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit të pagave të miratuar nga Qeveria.

FSSHK-ja ka kërkuar ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës që “shtesa prej 60-euro e paraparë me Pakon e Ringjalljes Ekonomike pika 4.1. mbështetje për Shëndetësinë të mbetet në fuqi deri në shpalljen e Pandemisë COVID-19 të mbyllur”.

“Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot me datë 02.02.2023, ka diskutuar vetëm për një pikë të rendit të ditës: Shqyrtimi i vlerës së koeficientit të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumën prej 105 euro, në të cilën anëtarët respektivisht Kryetarët e Shoqatave Sindikale kanë dhënë kontributin e tyre me shprehjen e qëndrimeve në lidhje me këtë çështje. Ligji për paga në sektorin publik është njëri nga Ligjet me rëndësi jetike për punëtorët shëndetësorë, respektivisht, për anëtarësinë tonë të gjerë, FSSHK që nga fillimi ka përcjellë me vëmendje të gjitha hapat, në të cilat, ka kaluar ky Ligj, për të cilin, edhe ka deponuar vërejtjet dhe sugjerimet brenda afatit ligjor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Vlera e koeficientit – Sejdiu tregon se cilat janë pakënaqësitë e mjekëve

Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës, ka treguar se vlera e koeficientit për paga nuk i ka kënaqur pritshmëritë e mjekëve.

Ai në emisionin “Five”, ka thënë se mjekët kanë pritur që koeficienti të jetë 120 dhe jo 105 euro.

Sejdiu ka bërë të ditur se më shumë se gjysma (55%) e mjekëve, me të cilët, ka komunikuar Oda e Mjekëve, nuk e kanë parë të kënaqshëm koeficientin e paraqitur nga Qeveria, 30% prej tyre, e kanë cilësuar si jo të mjaftueshëm, kurse 15% si të kënaqshëm.

Sejdiu ka thënë se përveç koeficientit, mjekët janë shprehur të shqetësuar për barazimin e mjekëve specialistë me psikologët klinikë specialistë.

“E dyta që ka shkaktuar zemërim më të madh ka qenë renditja e mjekëve specialistë me psikologë klinikë specialistë, ata nuk kanë kompetenca as për përshkrimin e barnave… Nëse e kemi për bazë shkollimin bazik dhe specialistik ku ne si mjek kemi 6+5, janë deri në 12 vjet shkollim ata kanë shkollim pesë deri në gjashtë”, ka thënë ai.

Tutje, ai është shprehur se Oda e Mjekëve ditët në vijim do të dalin me një qëndrim se a e pranojnë këtë koeficient apo jo.

Këshilli Prokurorial i Kosovës për vlerën e koeficientin: Cenon funksionimalizimin e sistemit prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kundërshtuar më 1 shkurt vlerën e koeficientit të përcaktuar nga Qeveria. Këta kanë kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“KPK-ja në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Sipas KPK-së, pagat e prokurorëve dhe të një pjese të stafit në sistemin prokurorial do të ulen.

“Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagim.

KPK-ja ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Më këtë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për pagat në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

Sa pritet të jenë pagat me koeficientin 105 euro në sektorin e drejtësisë dhe të sigurisë?

Qeveria e Kosovës më 1 shkurt e ka përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorin publik, i cili do të jetë 105 euro për vitin 2023.

Për të llogaritur pagën, duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Rezultati është paga bruto.

588 euro – ( kontributet 10 për qind 58.80 euro ) = 558.60 euro ( paga që tatohet ).

Shkallët tatimore

Paga prej 0 – 80 € = 0.00,

Paga prej 80 – 250 € = 6.80 euro

Paga prej 250 – 450 € = 16.00 euro

Paga mbi 450 € = 10.86 euro

Gjithsej tatimi = 33.66 euro

Paga neto = 558.60 – 33.66 = 524.94 euro.

Kështu duke llogaritur në këtë, presidentja e ka koeficientin 18-të dhe në bazë të kësaj, i bie që të paguhet 1890 euro, ndërsa kryeministri 1785 euro.

Ndërsa, pagat në sektorin e drejtësisë do të jenë si vijon:

Kryetari i Gjykatës Supreme – 1785 euro, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës – 1732.5 euro, gjyqtar i Themelores nga 1260 deri në 1396.5 euro, kryeprokurori – 1785 euro, kryesuesi i Këshillit Prokurorial – 1732.5 euro, prokurori nga 1344 deri në 1260 euro.

Ndërsa në sektorin e sigurisë do të jenë si vijon:

Komandanti i FSK-së – 1575 euro, ushtar – 588 euro, Rekruti – 210 euro, drejtori i policisë – 1522.5 euro, polici – 525 euro, polic i ri – 472.5 euro, kadet – 210 euro, komandanti i brigadës së zjarrfikësve – 735 euro, zjarrfikës – 525 euro, zjarrfikës praktikant – 420 euro, drejtori i doganës – 1522. 5 euro dhe zyrtar doganor nga 987 në 682.5 euro.

Sa pritet të jenë pagat me koeficientin 105 euro në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit?

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën e një shkurtit.

Ai ka theksuar se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe nga janari i vitit të ardhshëm do të jetë 110 euro.

Këto ndryshime në Ligjin e Buxhetit janë dërguar për miratim në Kuvend, e që të enjten u miratuan në seancën e Kuvendit.

Pra, për të llogaritur pagën, duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Rezultati është paga bruto.

588 euro – ( kontributet 10 për qind 58.80 euro ) = 558.60 euro ( paga që tatohet ).

Shkallët tatimore

Paga prej 0 – 80 € = 0.00,

Paga prej 80 – 250 € = 6.80 euro

Paga prej 250 – 450 € = 16.00 euro

Paga mbi 450 € = 10.86 euro

Gjithsej tatimi = 33.66 euro

Paga neto = 558.60 – 33.66 = 524.94 euro.

Me koeficientin 14 është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti e kanë koeficientin 7.4.

Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.

Drejtori i SHSKUK-së me këtë koeficient do ta ketë pagën 1470 euro.

Ndërsa, mjeku specialist 1260 euro. Kurse mjeku i përgjithshëm 777 euro.

Në anën tjetër, kryeinfermieri me këtë koeficient i bie ta ketë 672 euro, ndërsa infermierët nga 588 e deri 535.5 euro.

Ilustrim

Vlera e pagës së një rektori do të jetë 1491 euro, i dekanit 1344 euro, ndërsa profesorit të rregullt 1302 euro.

Drejtori i shkollës së mesme të lartë do ta ketë 661.5 euro, drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët do ta ketë 651 euro.

Në anën tjetër, mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro.

Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro. Ndërkaq, edukatori do ta ketë 535.5 euro.

Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro.

Kjo vlerë e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Ndryshe, të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se vlera e koeficientit për vitin 2023 është arritur në 105.

Sipas tij, në janar të vitit 2024, ai do të jetë 110.

“Është arritur te vlera e koeficitentit për 2023, dhe ai është 105, ndërsa në janar të vitit 2024 do të jetë 110”, ka thënë Kurti.

E reja, sipas tij, është se për çdo vit do të vlerësohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.

Pas kësaj, nuk do të ketë më stagnim të pagave.

“Ato do të lëvizin sipas rritjes apo sipas punës dhe reultateve që kemi të gjithë bashkë në rritjen ekonomike të vendit. Në shërbimin civil janë mbështetur ata që kanë qenë në fund të tabelës. Punëtorët e teknikët do ta ketë trajtimin dinjitoz”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë ka thënë se Fondi i pagave për herët të parë po rritet me 100 milionë euro.

“Në javët në vijim do të paraqiten edhe skemat e reja të punësimit”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vlera e koeficientit për paga është përcaktuar në bazë të kalkulimit, “Koeficienti është përcaktuar në bazë të kalkulimit, dhe me anë të tij, krijohet mundësia që të ketë fleksibilitet”, “Koeficienti për këtë vit do të jetë 105 euro, e pastër pa shtesa, ndërsa 110 pritet të jetë në vitin 2024”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika