Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka reaguar pas vendimit të Gjyqësorit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka deklaruar se vendimi duhet të shërbejë si një mesazh mbi ata që përdorin dhunën ndaj grave, veprimi i cili, thotë Osmani, nuk do të tolerohet.
“Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet. Dhuna nuk do të tolerohet! Femicidi do të ndalet!”, ka shkruar Osmani.
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani. Vendimi u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Ndërsa, të akuzuarit Arbër Sejdiu i janë shqiptuar 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për ta fshehur veprën penale të dhunimit.
Krivaqa dhe Sejdiu u akuzuan për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.