Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten e 2 dhjetorit, do të mbajë mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Kjo mbledhje vjen pas vrasjes së gruas shtatzënë, 35-vjeçare, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë, nga bashkëshorti i saj.
Në këtë takim, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, pritet të dilet me qëndrime konkrete për masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e dukurisë së vrasjes së vajzave dhe grave në Kosovë.
Osmani për RTK, ka thënë se si shtet dhe shoqëri “jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”.
Osmani ka bërë të ditur se në agjendë do të jenë dy pika konkrete.
E para ka të bëjë me atë që secili institucion të jetë në inputin e vet, lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin e Kosovës, për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta ka të bëjë që të dalin me përfundime dhe konkluzione konkrete sesi t’i parandalojë Kosova këto akte të dhunës dhe këtë femicid, sa më urgjentisht që të jetë e mundur.
Në këtë takim, përveç liderëve institucionalë, do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura.
“Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete, të cilat nënë ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Osmani.
Të mërkurën rreth orës 18:00, u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, ndërsa edhe pas 40 orëve, i dyshuari, bashkëshorti i saj, Sokol Halili, është në arrati.
Policia e Kosovës deri më tani ka gjetur vetëm veturën, me të cilën, ka lëvizur i dyshuari, dhe pasi ka kryer hetimet, e ka kthyer veturën në oborrin e shtëpisë së Sokol Halilit, por, policia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e të dyshuarit.
Afro 40 orë që nga vrasja e gruas shtatzënë, i dyshuari ende në arrati