Me moton “Boll më” gjatë ditës së enjte është protestuar kundër dhunës dhe vrasjes së grave në Shqipëri.
Protesta e cila është organizuar para Ministrisë së Drejtësisë, erdhi një ditë pasi i dyshuari Dan Hutra, vrau tri gra në zonën e Kamzës, në afërsi të Tiranës dhe plagosi dy të tjera.
Gazetarja nga Tirana, Zana Efendija Beja, në lidhje të drejtpërdrejt telefonike në emisionin FIVE, ka thënë se me anë të kësaj proteste është ngritur pyetja se pse i dyshuari i vrasjes së tre grave është liruar nga burgu pas gjithë krimeve që ai ka qenë i dënuar më herët.
“Sapo ka përfunduar protesta e organizuar para ministrisë së Drejtësisë, kjo protestë është bërë pas vrasjes së trishtuar në Tiranë. U ngrit pyetja se pse pikërisht ky autor lihej i lirë pas gjithë atyre krimeve që kishte bërë gjatë vitet e kaluara, protesta kishte moton “Boll më” me thirrje siguri për vajzat dhe gratë”, ka treguar ajo.
Sipas saj, në protestë kanë qenë të pranishëm shumë qytetarë që u kanë kërkuar institucioneve të japin llogari për dhunën ndaj grave dhe për rastin konkret, se përse nuk ka vepruar drejtësia për autorin e këtij krimi të rëndë.
“Hutra ishte një person që kishte dënime që nga viti 2007, ai ka vrarë bashkëshorten ë tij të parë në mënyrë krejt të mistershme dhe bëri 14 vite burg dhe duke u liruar sërish i lirë. Ai gjithashtu në periudhë të gjatë kohore kishte kryer disa përdhunime ndërkohë është akuzuar për vjedhje për dhunë por rasti më flagrant ishte rasti i djeshëm me vrasje të tre fish e cila është më e rënda”, është shprehur ajo në emisionin FIVE.
Kujtojmë se, Hutra, 41-vjeçar, mesditën e së mërkurës shkoi në banesën e gruas Elena Hysës me të cilën bashkëjetonte dhe ka një fëmijë 4 muajsh, ku sipas Policisë, atë dhe nënën e saj, Kujtime Kysi, i plagosi me thikë, ndërsa vrau motrën e saj, Mevlute Hysa, 30-vjeçare, si dhe të fejuarën e vëllait të saj, Hasime Dafku, po ashtu 30-vjeçare.
Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, Policia ka thënë se ai është ndalur në një tjetër banesë ku ka vrarë 31-vjeçaren Etleva Kurti, e cila është motra e një të dënuari, me të cilin autori i krimit ka pasur konflikte gjatë kohës që kanë vuajtur dënimin në të njëjtin burg.
Ai u arrestua mbrëmjen e 1 marsit në një tjetër zonë periferike të Tiranës, ku siç ka deklaruar në Polici kishte planifikuar edhe një tjetër vrasje, e më pas kishte thënë se do të vetë-dorëzohej. I njëjti ishte dënuar më herët për vrasjen e ish-gruas së tij të parë.
Autori i vrasjes së trefishë, Dan Hutra, është person me precedentë penalë. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003 me dy vjet burgim për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në 2009 është dënuar me 16 vite burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, pasi ka përfituar ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa në qershor 2022 është arrestuar për dhunë në familje ushtruar ndaj Elena Hysa, me të cilën bashkëjetonte dhe të cilën e plagosi të mërkurën. Ai është liruar nga burgu më 16 shkurt 2023.