Pas përfundimit të dëshmisë së ish-këshilltarit të UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka filluar dëshminë dëshmitari i 115-të i Zyrës së Prokurorit të Specializur (ZPS), John Clarke, i cili mban kodin 04874 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është patolog i mjekësisë ligjore dhe është i thirrur për të japë dëshmi si ekspert, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Nga prokurori James Pace, dëshmitarit iu prezantua një raport për të cilin ai tha se e ka përgatitur në bazë të udhëzimeve që ia ka dhënë përmes një letre ZPS-ja. Megjithatë, shtoi se kjo akt-espertizë përmban opinionin e tij të pavarur.
Veç kësaj, dëshmitari pohoi se kohët e fundit iu dha mundësia që ta lexojqë edhe njëherë këtë akt-ekspertiz si dhe u bënë sqarimet e nevojshme. Ndërsa, sipas prokurorit Pace, ishte një çështje në raport që dëshmitari donte që ta trajtojë dhe kjo lidhej me një mospërputhje të autopsisë së një personi a më shumë personash.
“Po, ka pasur paqartësi për një raport postmortem”, tha dëshmitari Clarke.
Si rrjedhojë, me kërkesën e prokurorit seanca kaloi në private, me arsyetimin për mirëqenien e anëtarëve të familjes së viktimës.
Pasi që u hap seanca, prokurori lexoi pjesë nga raporti ku thuhet se shpjegohen plagët që janë bërë përmes të shtënave me armë ndaj një viktime. Në të, thuhej se pavarësisht se sa ka qenë numri i saktë i plumbave dhe pjesëve të trupit që janë përshkuar me armë, nuk ka asnjë dyshim që vdekja është shkaktuar nga arma.
Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitari, duke shtuar se këtë konstatim e kishte bërë pasi plumbat kishin hyrë dhe dalë nga trupi i viktimës. Ngjashëm, eksperti foli edhe për një viktimë tjetër dhe shkakun e vdekjes së tij.
“Viktima ka vdekur si rezultat i të shtënave me armë. Kjo është e verifikueshme përmes pikave hyrëse dhe dalëse të plumbit”, tha Clarke.
Në prova gjyqësore u pranua akt-ekspertiza e këtij dëshmitarit së bashku me letrën prej udhëzimeve të ZPS-së.
Ndryshe, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se dëshmia e Clarke pritet të zgjas rreth dy ditë. Nga kjo kohë, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth dy orë, ndërsa ekipet e mbrojtjes rreth pesë orë për kundërpyetje
Kujtojmë se gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer u mor në pyetje edhe na avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, i cili një pjesë të pyetjeve i bëri në seancë private.
Clarke përshkruan viktimat që ZPS-ja ia prezantoi në fotografi, për disa thotë se kanë vdekur nga plumbi e disa janë goditur me mjete të forta
Ekspertit të mjekësisë ligjore, John Clarke, i janë prezantuar nga ZPS-ja fotografit e viktimave, duke i kërkuar shpjegim se çfarë konstaton ai si njohës i fushës.
Për disa nga viktimat ai tha që kanë vdekur nga plumbi, ndërsa për disa të tjera tha se janë goditur me instrumente të ndryshme të cilat kanë shkaktuar mavijosje në trupin e tyre.
“Mund të shikoni humbjen e ngjyrës ose kthimin e ngjyrës në të purpet brenda dhe në të dyja anët në fakt. Domethënë siç mund ta shikoni ngjyra ka ndryshuar është bërë si në të purpurt në të kucrremt. Përveç kësaj, në të majtë mund të shikoni një zonë që është më e purpurt dhe është më e thellë dhe në fakt është mavijosje. Është e çartë kjo dhe kjo ka ndodhur gjatë kohës kur personi ka qenë i gjallë. Është një zonë e gjerë. Pra, siç mund ta shikoni është një zonë gjerë e mavijosur e personit. Ka edhe disa viza të vogla që mund t’i shikoni aty. Ndoshta mund të jetë goditur me një instrument disi të gjatë”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë e prezantuara.
Ndërsa, në një fotografi tjetër, dëshmitari tha se dallon ndryshimet që ka pësuar trupi pas vdekjes si dh mavijosje.
“Dalloj dy gjera kryesore në këtë fotografi. E para; janë ndryshimet pas vdekjes, për shembull të këmbët që është lividiteti, në pjesën e pasme të kofshëve, po ashtu kemi edhe thyerjen e këmbeve në pjesën e poshtme dhe këto janë ndryshime që kanë ndodhur pas vdekjes se personit. Ndërkohë sa i takon shpinës së tij, kemi një përzierje të leviditeit në shpinën e personit të vdekur. Kemi mungesë ngjyre ose kemi shpërndarjen e ngjyrës së purpurt, por mbi atë shikojmë të paktën disa mavijosje. Nëse nuk janë gërvishtje, më tepër duken si mavijosje dhe kemi gjithashtu kemi gërvishtje të lëkurës në pjesën e sipërme të shpinës që është më ngjyrë më të erret se në zonat e tjera”, tha Clarke.
Dëshmitari tha se këto gërvishtje dhe mavijosje zakonisht shkaktohen kur dikush qëllohet me ndonjë instrument të fortë që nuk ka të bëjë me thikën ose plumbin.
Kurse, për një trup tjetër në një fotografi dëshmitari tha se ka mavijosje që janë shkaktuar nga ndonjë objekt i gjatë.
“Është diçka shtesë që mund të shohim këtu. Pjesa e sipërme e trupit-shpinës, kryesisht në pjesën e djathtë shihet çartë mavijosja. Në pjesën e mesme të shpinës-në dy anët ka dy vija paralele diagonale dhe dy në anën e majtë në mënyrë diagonale. Këto janë ato që ne i quajmë vijat e mavijosja që janë të shkaktuara kur dikush goditet nga një objekt i gjatë- për shembull tyta e një arme, ndonjë send i gjatë e i hollë që shkakton vija mavijosje”, tha Clarke.
Kurse, për fotografinë e tretë dëshmitari tha se sheh dy mavijosje lineare në gjoksin e viktimës të cilat sipas tij më shumë mundësi janë shkaktuar nga një objekt i gjatë që ka goditur trupin. Meqë kjo viktimë ishte e ulur në karrige, dëshmitari tha në qoftë se nuk ka vdekur aty, rezultatet tregojnë që ai është vendosur aty pak kohë pasi ka vdekur.
Me kaq përfundoi pyetjet prokurori për të vazhduar më pas me avokaten e Kadri Veselit, Ann Rowan.
Dëshmitari pohoi se nuk ka bërë asnjë autopsi ndaj vikamave dhe se nuk ka qenë i pranishëm kur janë kryer ato. Madje, ai mohoi se ka pasur ndonjë rol mbikëqyrës kur janë bërë autopsitë.
Ai gjithashtu pohoi se raporti i tij është bërë sipas udhëzimeve të ZPS-së dhe kryesisht iu është përgjigjur pyetjeve që kjo e fundit i ka pasur. Si dhe mohoi që ZPS-ja iu ka kërkuar që të jep komente lidhur me cilësinë e punës mbi të cilën mbështetet ky raport.
Gjithashtu, ai mohoi se shprehimisht ZPS-ja ia kishte kërkuar që të paraqiste ndonjë prej kundërshtimeve që kishte në raport ose të përshkruante ndonjë gabim apo probleme që mund të ketë identifikuar.
Megjithatë, ai tha se gabimet ose problemet që ka hasur i ka evidentuar.
Ndërsa, për raportin e tij, ai tha se është përmbledhje e interpretimit të tij të konstatimeve që janë bërë në atë raport autopsie./Betimi për Drejtësi