Betim Osmani qytetar nga veriu i Kosovës në një linjë direkte në FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se deklarimet politike po reflektojnë direkt në teren dhe po kanë një ndikim të madh.
Ai iu ka referuar deklarimit të fundit të kryeministrit Albin Kurti i cili një ditë më parë tha se Serbia po përgatitet të ndërmarr sulme të reja në Kosovë.
Tutje ai ka thënë se institucionet e vendit kanë marrë veprime e aksione të shumta në veri në ndër vite mirëpo normaliteti i situatës sipas tij vjen me institucione e jo me premtime e deklarime.
“Por, neve na vyn punë në teren ku tani e mos të them dy vite nuk them që nuk është punu por mund të them tridhjetë përqind është punu a shtatëdhjetë përqind ka ngecje të punëve në veri ku priten nga qytetarët”.
Ai ka folur edhe për mundësinë e tensionimit të situatës pas deklarimeve të kryeministrit se mund të ketë sulme të reja.
“Edhe kjo e tensionin, por në njëfarë mënyre ju jep mbështetje partisë së Listës Serbe ku tash nëse veç çertifikohet Lista Serbe shumica e qytetarëve të komunitetit serb do të thonë që Lista Serbe është shumë e fortë dhe s’ka çka i bënë as qeveria, d.m.th. kjo po bien një grackë ku shumica e qytetarëve serb prapë do ta votojnë Listën Serbe dhe jo këto partitë tjera që kanë dalë si alternativë ndryshe nga Lista Serbe”.
Ai ka kritikuar partitë politike shqiptare të cilat sipas tij nuk kanë asnjë kandidat nga veriu i Kosovës në lista për deputet për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
“Kjo tregon për seriozitetin e partive politike tona ku mos të them e kanë patriotizmin shumë plitko, d.m.th. nuk e kanë të thellë, e kanë veç sa për zgjedhje dhe kjo tregon për seriozitetin e partive tona që edhe kur të vijnë në pushtet mandej harrojnë premtimet dhe atë çfarë ju kanë premtu qytetarëve ku kjo tash e 25 vjet na sjellë se 70% e qytetarëve të veriut nuk janë ende në pronat e tyre dhe institucionet tona bëjnë edhe kësi lloj politike”, ka thënë Osmani.