Pavarësisht armëpushimit, kryeqyteti i Sudanit goditet nga sulme ajrore

Mbi 500 njerëz janë raportuar të vrarë deri më tani, por numri i vërtetë i vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë. Ndërkohë, miliona njerëz mbeten të bllokuar në kryeqytetin e Sudanit

Pasojat nga luftimet mes ushtrisë dhe forcave paraushtarake në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, foto BBC.

Sulmet ajrore kanë goditur kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, pavarësisht një armëpushimi për të cilin palët u pajtuan të dielën, më 30 prill, në mënyrë që civilët të mund të largoheshin nga aty.

Ushtria ka thënë se po sulmonte qytetin në mënyrë që t’i largonte rivalët e saj paraushtarakë, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Luftimet u intensifikuan edhe pse palët ndërluftuese thanë se do ta zgjasin armëpushimin edhe për tre ditë të tjera.

Deri më tani është raportuar për mbi 500 njerëz të vrarë, por numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Ndërkohë, miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar në kryeqytetin e Sudanit.

Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, po luftojnë për pushtet. Mospajtimet nisën veçanërisht në lidhje me planet për ta përfshirë RSF-në në ushtri.

Gjeneralët ranë dakord për një armëpushim humanitar pas përpjekjeve intensive diplomatike nga vendet fqinje, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe OKB-ja. Armëpushimi u zgjat, por ai nuk po respektohet.

Përpara njoftimit për zgjatjen e armëpushimit të dielën, më 30 prill, ushtria tha se kishte kryer operacione kundër trupave të RSF-së në veri të qendrës së qytetit. Hamid Khalafallah, nga Instituti Tahrir për Politikat e Lindjes së Mesme, është një nga personat që nuk mund të largohen nga vendi.

“Kur ka bombardime shumë të forta dhe afër, ne strehohemi në shtëpi, përpiqemi të bashkohemi të gjithë në një dhomë qendrore, larg dritareve, larg mureve, e kështu me radhë, dhe thjesht shtrihemi në dysheme derisa të kalojë”, ka thënë ai, shkruan REL.

“Kur sulmet janë pak më larg, ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë orët e qetësisë që na jepen – disa orë në ditë – për të dalë shpejt dhe për t’i marrë ato që na nevojiten, që është gjithashtu shumë e rrezikshme, por ne duhet ta bëjmë”.

Rreziku për ekipet e ndihmave humanitare

Furnizimet e para të ndihmës, si pajisje mjekësore, tashmë kanë mbërritur në Sudan.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) thotë se një aeroplan arriti në portin e Sudanit me tetë tonë ndihma, duke përfshirë pajisje shëndetësore për spitalet.

“Me rreziqet që ende po vazhdojnë, ekipet e KNKK-së do të kenë nevojë për garanci për kalim të sigurt nga palët në konflikt për ta dorëzuar këtë material në objektet mjekësore në vendndodhjet me luftime aktive, si në Khartoum”, thuhet në një deklaratë të KNKK-së.

Më shumë se 70 për qind e objekteve shëndetësore në kryeqytet janë detyruar të mbyllen si pasojë e luftimeve që shpërthyen më 15 prill.

Luftimet priten të vazhdojnë ende

Korrespondenti diplomatik i transmetuesit publik britanik BBC, Paul Adams, i cili raporton për ngjarjet nga Nairobi në Kenia, thotë se ushtria do ta ketë të vështirë ta dëbojë RSF-në nga Khartoum.

Me gjithë fuqinë ushtarake të ushtrisë, njësitet e RSF-së janë shumë të përshtatshme për luftërat urbane, shton korrespondenti i BBC-së.

Mes kaosit, vendet e huaja i kanë evakuuar shtetasit e tyre nga Sudani.

Të shtunën, ish-kryeministri sudanez, Abdalla Hamdok, paralajmëroi se konflikti mund të përshkallëzojë më keq se ai në Siri dhe Libi. Këto luftëra kanë lënë qindra mijëra njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar destabilitet në rajon.

“Unë mendoj se do të jetë një makth për botën. Kjo nuk është një luftë midis një ushtrie dhe një rebelimi të vogël. Është pothuajse si dy ushtri”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika