Është i vetmi fshat me shqiptarë në Zubin Potok. Për këtë, në këto zgjedhje janë të bindur të vendosin të japin më të mirën për të zgjedhur kreun e komunës.
Banorët e kësaj ane thonë se jo vetëm në këto zgjedhje, por që nga viti 2002 ata gjithmonë janë pjesëmarrës.
“Do të dalim në zgjedhje, i madh e I vogël, nga mosha 18 vjec që kanë të drejtë vote. Votimet do t’i kryejm dhe mendoj që do të jenë me sukses”, ka thënë Aziz Hasani, banor i fshatit Çabër.
Madje sipas Hasanit, shfrytëzimin e të drejtës së votës nuk mund t’ua mohoj askush as përmes frikësimit.
“Siguria nuk është qaq në nivelin e duhur, por si sot si neser si pasneser ma merr menja që kështu ka me qenë. Po unë besoj që këto zgjedhje kemi me i kry me sukses”, ka thënë ai.
E më pesimist për këto zgjedhje duken se janë banorët e Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Si shqiptarët edhe serbët thonë se jeta e tyre nuk varet nga liderët politik, qofshin ata në Kosovë apo në Serbi.
“Prej këtyre zgjedhjeve nuk presim kurgjo, po duhet me dal. Se kshyrim na a jemi të sigurit a jo, na me dal e me ju kallxu kismet po”, është shprehur Riza Dushi, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
“Unë nuk po fitoj as prej Kurtit as prej Vuciqit, por po fitoj me këta 9 gishta që shkoj e me punu”, ka thënë Jovan Jovanoviq, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Banorët e katër komunave të Veriut të Kosovës më 23 prill do të kenë mundësi të vendosin me votë për fuqinë politikë që do t’i udhëheq në vitet në vazhdim.