PD nuk regjistrohet për zgjedhjet e 14 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri vendosi të mos e regjistrojë Partinë Demokratike për zgjedhjet lokale të 14 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri vendosi të mos e regjistrojë Partinë Demokratike për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Shkak për këtë vendim u bë mosplotësimi i dokumentacionit që iu kërkua Partisë Demokratike, të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik.

Kriza e përfaqësimit të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, prej një viti ka shkaktuar situata të ndërlikuara dhe tashmë ka vënë në vështirësi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pak kohë para fushatës për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Në mbledhjen e 9 marsit, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, ka theksuar se bazuar në regjistrin e partive politike, kryetar i Partisë Demokratike njihet zyrtarisht Lulzim Basha, i cili edhe pse publikisht ka dhënë dorëheqjen që në mars të vitit 2021, këtë vendim nuk e ka pasuar me veprimet e duhura juridike në gjykatë. Për këtë arsye dokumentet që duhet të dorëzojë PD-ja për t’u regjistruar në zgjedhje duhet të kenë firmën e tij. Por, pikërisht ajo që njihet si “deklarata solemne” që ka të bëjë me angazhimin kundër krimeve zgjedhore, nuk mban firmën e Lulzim Bashës, por të deleguarit prej tij në krye të partisë, Enkelejd Alibeaj.

Pas afatit që iu la nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ky dokument nuk u dorëzua.

“Në kushtet kur ‘deklarata solemne’ nuk është në rrethanat e duhura, vlerësoj se kërkesa e PD-së për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Kjo vendimmarrje është tërësisht në vlerësim ligjor të fakteve dhe në interpretimin tim të bazuar në bazë ligjore. Nuk ka asnjë interpretim tjetër, KQZ vendos mospranimin e regjistrimit në zgjedhje, të PD-së”, ka cituar Celibashi.

Vendimi solli reagimin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

“Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese, të pavarura, kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë”, ka theksuar Alibeaj.

Partia Demokratike ankimoi menjëherë vendimin në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve. Nëse sërish nuk pranohet kërkesa, PD-ja ka edhe një tjetër mundësi për të kërkuar regjistrimin në zgjedhje, në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkaq e mërkura është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve. Kjo është mundësia e vetme që Sali Berisha të regjistrojë kandidatët e tij për kryetarë të bashkive nën siglën e një koalicioni, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e njeh atë si kryetar të Partisë Demokratike. Deri tani nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë prej partive të vogla për të krijuar një aleancë për zgjedhjet e 14 majit.

Kriza e përfaqësimit të PD-së është krijuar që nga shtatori i vitit 2021, kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar dhe nga Partia Demokratike, ish-kreun e partisë, njëherësh ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.

Vendimi nuk u pranua nga Berisha dhe mbështetës të tij, të cilët mblodhën struktura paralele duke i kërkuar anëtarësisë të votojë për forumet e reja të partisë si Kuvendi i Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar e të tjera, të cilat votuan Sali Berishën për kryetar partie, por edhe logon e re të PD-së.

Më 21 mars të 2022, Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i PD-së.

Më 25 mars të 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij./ REL

Ky vendim u ankimua nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika