Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë edhe vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka.
Kjo është konfirmuar nga avokati Faton Fetahu, i cili njëherit është edhe përfaqësues i autorizuar i deputetëve të Grupit Parlamentar të PDK-së.
”Ju njoftoj zyrtarisht në emër të GP të PDK-së se tashmë e kemi kontestuar në Kushtetuese edhe vendimin arbitrar të Kuvendit për shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së”, ka thënë Fetahu, për Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, më 15 dhjetor 2023, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan Agron Bekën nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për shkarkimin e tij votuan 62 deputetë.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor. /Klankosova