Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] nuk do të marrë pjesë në adresimin vjetor të Vjosa Osmanit në Kuvend, pasi sipas tyre, presidentja ka vazhduar të mos përmbushë rolin dhe funksionin kushtetues.
Osmani sot nga ora 09:30 do ta mbajë fjalimin e përvjetshëm para deputetëve.
PDK-ja ka thënë se Osmani ka dështuar edhe në fushën e politikës së jashtme, pasi nuk i ka siguruar asnjë njohje të re Kosovës.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja tutje akuzon presidenten se nuk ka vepruar si balancuese kundrejt atyre që i konsiderojnë si politika të gabuara të Qeverisë karshi ndërkombëtarëve, ndërsa kanë shtuar ajo i ka mbajtur anën kryeministrit Albin Kurti.
PDK thotë se presidentja “edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tone”.
Poashtu PDK ka thënë se Osmani ka heshtur edhe ndaj disa aferave korruptive.
“Osmani ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën zyrtare të PDK-së.
Sipas PDK-së, Osmani e ka zbehur rolin dhe rëndësinë e presidentes.
“Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”, përfundon komunikata e PDK-së.