Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të fillojë hetimet me urgjencë ndaj Qeverisë Kurti.
Çitaku ka kërkuar të hetohet e vërteta rreth pretendimeve për keqpërdorime me furnizimin e rezerave shtetërore si dhe pretendimet e përfshirjes së Ridvan Muharremit me tregti me armë.
“Reagimi i Institucioneve të Drejtësisë duhet të jetë emergjent. Të gjithë ju, të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, dëgjuat dhe patë, me zë dhe figurë, dëshminë e një personi i cili ndërlidhë ndërmjetësuesin e Qeverisë Kurti për furnizim me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremin, edhe me çështje të tjera. Tregtia ilegale me armë, gjetja nga hiqi apo krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së dhe zhdukja e një politikani të PDK-së, të gjithat ishin subjekt i kësaj dëshmie – e cila sot kërkon vetëm një gjë: Hetim, Hetim, Hetim. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë duhet të veprojë për ta zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, sepse ato nuk përfaqësojnë më vetëm korrupsionin enorm në të cilin është zhytur kjo Qeveri, por edhe rrezikun që i kanoset lirisë, demokracisë e kombit tonë nga mentaliteti zhvatës e shkatërrimtar i kësaj Qeverie”, vijon ajo.
Çitaku tha se deklaratat dhe veprimet e Ridvan Muharremit, i cili sipas saj është mik dhe bashkëpunëtor i kryeministrit Kurti, paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në drejtësi.
“Mbi të gjitha, këto kërkesa specifike të Ridvan Muharremit për gjetjen e “katër dëshmitarëve katolikë”, ndikojnë në nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes ndër-fetare dhe popullore në vendin tonë. A ka qenë ndonjëherë në Mejë të Gjakovës Ridvan Muharremi, apo kushdo i cili e ka porositur që të bëjë kërkesa të tilla? Prandaj, meqë çështja është serioze, PDK kërkon edhe veprime serioze, të përgjegjshme dhe të shpejta, të të gjitha institucioneve relevante të drejtësisë. Situata të tilla nuk guxojnë të kalojnë pa u hetuar, sqaruar e më pas, padyshim, edhe pa u dënuar”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka kërkuar të hetohet edhe kryeministri Albin Kurti në lidhje me këto çështje.
“Ndërkaq, kërkesat tona për Prokurinë e shtetit janë të qarta. Niseni menjëherë dhe urgjentisht një hetim profesional mbi pretendimet e fundit të dëshmitarit në fjalë. Niseni menjëherë dhe urgjentisht hetimin e Ridvan Muharremit, përfaqësuesit të Qeverisë së Kosovës për furnizimin e rezervave shtetërore. PDK kërkon që të hetohet edhe Kryeministri Albin Kurti, emri i të cilit është ndërlidhur ngushtë me deklaratat e fundit, për çështje anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. Sot, nuk ka asnjë temë më të rëndësishme për gjithë sistemin e drejtësisë, sesa hetimi urgjent i gjithë kësaj situate. Qytetarët kanë nevojë për sqarime dhe llogaridhënie, nga të gjithë të përfshirët në këtë aferë të turpshme. PDK kërkon hetim dhe përgjegjësi. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, ka përfunduar Çitaku.