PDK-ja kritikon MASHTI-in për subvencionimin e teksteve shkollore: Edhe vonë edhe shtrenjtë

Besianë Musmurati, nënkryetare e PDK-së, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e menaxhimit të subvencionimit të librave shkollorë, duke theksuar se nxënësit sërish do të fillojnë vitin shkollor pa libra të mjaftueshëm. Ajo ka përmendur se Qeveria ka shpenzuar mbi 20 milionë euro për librat, duke i krahasuar këto shpenzime me vitet e kaluara.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mënyrën se si po menaxhon subvencionimin e librave shkollorë.

Musmurati tha se kjo qeveri po lë sërish nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor, duke theksuar se çdo vit shtatori po e gjen qeverinë dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, të papërgatitur.

Në një konferencë për media, Musmurati e cilësoi vendimin e fundit të Ministrisë së Arsimit për të subvencionuar librat përmes prindërve si një shenjë se 1 shtatori do të fillojë sërish me mungesë librash.

“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra, fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosovës dhe ministren Nagavci të papërgatitur. Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mossigurimin e librave shkollorë në kohë. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasëve 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin pa libra”, theksoi ajo.

Musmurati e kritikoi Qeverinë për shpenzime të tepërta, duke e krahasuar çmimin e librave të blerë në vitet e kaluara me çmimin aktual. Ajo theksoi se Qeveria ka shpenzuar mbi 20 milionë euro për blerjen e librave, ndërsa në vitin 2017 kjo shumë ishte rreth 3.5 milionë euro për mbi 100 mijë nxënës më shumë.

Sipas saj, kjo tregon një rritje të çmimeve dhe një menaxhim të dobët të burimeve.

“Ministrja na tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra, edhe vonë, edhe gati tre fish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara. Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha që kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, tha ajo.

Musmurati ka përmendur gjithashtu se vitin e kaluar Qeveria e ka përdorur fondin për digjitalizimin e arsimit për të mbuluar koston shtesë të subvencionimit të librave. Ajo ka shprehur shqetësim se ky keqmenaxhim ka rezultuar në mungesë librash për periudha të gjata dhe në vonesa në rimbursimin e prindërve.

“Vitin e kaluar për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për subvencionim, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrejtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra që ju kushtojnë më shtrenjtë?”, theksoi ajo.

Musmurati theksoi se ka pasur nxënës që për dy gjysëmvjetorë shkollorë u kanë munguar disa nga librat.

“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra”, shtoi ajo.

Për të ardhmen, Musmurati ka premtuar se në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra do të jetë më i organizuar dhe digjitalizimi i arsimit do të vendoset në shërbim të nxënësve. Ajo ka kërkuar që komisionet hetimore dhe organet e drejtësisë të përfundojnë hetimet për këtë çështje.

“Në mënyrë që të sigurohemi që ky keqmenaxhim i parasë publike nuk përsëritet më dhe mungesa e orëve mësimore ndalet, komisioni hetimor parlamentar duhet të kryej punën e vet pa ndërhyrje politike të partisë në pushtet sa me shpejt dhe organet e drejtësisë të përfundojnë hetimet njëherë e mirë. Lajmi i vetëm i mirë në krejt këtë mes, e që na jep shpresë për të ardhmen, është që veçse jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Arbërie Nagavci nuk duhet të jetë më ministre e Arsimit nga viti tjetër.  Qytetaret tanë do të mund të përjetojnë dallimin e mendësisë në qeverisje me ardhjen e Bedri Hamzës dhe ekipit të tij në krye të shtetit”, përfundoi ajo.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika