PDK-ja propozon dy komisione hetimore, njërin për mostrat e Astrit Deharit, tjetrin për Gani Jakupin

Abelard Tahiri, PDK

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kanë propozuar që në seancën e së enjtes të themelohen dy komisione hetimore parlamentare për dy çështje të ndara.

Tahiri bëri të ditur se do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor për punësimin e konsulentit Gani Jakupi, që në nëntor të vitit të kaluar u diskutua për shkak të pagesës prej 7500 eurosh në muaj.

“Sot diskutuam për seancën e radhës që do të mbahet ditën e enjte dhe për agjendën e saj që si Grup Parlamentar i PDK-së ia kemi propozuar Kryesisë themelimin e dy komisioneve hetimore. Njërin për hetim parlamentar në kuadër të MPJD-së pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik, po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë. Kemi raste të tjera për persona që janë të punësuar si Gani Jakupi”, ka deklaruar Tahiri.

Tutje, ai ka thënë se komision hetimor kanë kërkuar edhe për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

“Çështja tjetër është çështja e komisionit hetimor për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në IML dhe si grup parlamentar e kemi denoncuar dy herë zjarrvëniet në Institutin e Mjekësisë Ligjore” ka vijuar ai.

Tahiri ndër të tjera tha se qëndrimi i PDK-së për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbetet i njëjtë.

“Marrëveshjet ndërkombëtare janë vendosur në kuadër të kësaj seance, tash kemi paralajmërime të tjera nga ambasadori amerikan që Kosova mund të përballet me pasoja më të rënda në skenën ndërkombëtare. S’ka ndryshuar asgjë që PDK-ja t’i votojë këto marrëveshje ndërkombëtare. Vendi ynë veçse po e thellon krizën me vendet ndërkombëtare dhe aleatët tanë, jemi nën masa sanksionuese” ka theksuar Tahiri.

Tahiri për vendimin e BQK-së: Duhet të kishte koordinim më të mirë me ShBA-të

Ndërsa i pyetur për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për heqjen e valutës së dinarit serb, ai tha se nuk duhet fokusohet vetëm te dinari, por te një koordinim më i mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas Tahirit, me ardhjen e qeverisë së tanishme në pushtet është prishur ajo qasje.

“Nuk mund të kufizohemi thjesht në çështjen e dinarit në këtë rast, mendoj se duhet parë një fotografi më e plotë, sepse për herë të parë me këtë qeveri ka ndryshuar edhe qasja e koordinimit me aleatët tanë, pra me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne edhe shtrirjen e sovranitetit në veri edhe integrimin e institucioneve, edhe mbajtjen e zgjedhje të rregullta, edhe zgjidhjen e kryetarëve të komunave legjitim nga qytetarët serb që ka ndodhur për herë të parë në 2017 e kemi bërë pikërisht në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që mendoj që duhej të ndodhte është thjesht një koordinim dhe një angazhim më i mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces”, ka përfunduar Tahiri.

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika