Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur të enjten më 28 korrik, PDK ka pasur shtatë kërkesa. Njëra prej tyre ishte edhe heqja e TVSH-së në fatura.
Kërkesat i ka paraqitur deputeti Ferat Shala.
Shala gjatë seancës së kuvendit tha se, “Sektori energjetik në vend është duke u përballur me mungesë të likuiditetit financiar dhe kjo sipas tij po ndodh ndër të tjera edhe për fajin e qeverisë së Kosovës”.
Sipas Shalës qeveria ka mashtruar sektorin tash e gjashtë muaj.
“E para është moszbatimi i qeverisë për ndarjen e subvencionit në vlerë prej 100 milionë euro e cila ka bërë që furnizuesi për shërbim publik të kërkojë nga ZRRE hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm (të tarifave) pra qeveria ka mashtruar sektorin tash e 6 muaj dhe po hyjmë në një fazë krejt të re. E dyta, është rritja enorme në bursën ndërkombëtare. Faktori i tretë është keqmenaxhimi i KEK-ut si prodhues kryesor energjetik në vend i cili aktualisht është para kolapsit. Pa mirëmbajtje, pa përgatitje të punës në miniera, pa furnizim me lëndë të parë e shumëçka tjetër”.
Shala ka shprehur brengosjen e tij për qytetarët e Kosovës duke thënë se nëse vazhdojnë më ngritje çmimesh për qytetarët do të jetë edhe një krizë tjetër e papërballueshme.
Sipas deputetit Shala, qeveria duhet të ndërmarrë masa të shpejta për menaxhim të kësaj situate.
“Të largojë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike. Çmimi për tarifën e linjitit të zvogëlohet nga 3 euro për ton sa është sot, në 0.26 cent për ton. Të vendosë obligime për gjeneratorët publike KEK dhe hidrocentrali Ujmani duke vendosur një çmim fiks për shitje të energjisë elektrike tek furnizuesi publik. E ky çmim nuk duhet të kalojë vlerën 29 euro për megavat orë. Çdo kosto shtesë për gjeneratorët vendorë të mbulohet nga Qeveria e Kosovës për sa të shihet e nevojshme. Të përjashtojë çdo procedurë dhe udhëzim burokratik dhe të përshpejtojë çdo udhëzim administrativ të nevojshëm dhe legjislativ duke filluar për ndërtimin e kapaciteteve të reja në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Të krijojë një fond të posaçëm për subvencionim direkt të konsumatorëve duke zëvendësuar kaldajat për ngrohje me pajisjet e tjera efiçencë të cilat do të mundësonin ngrohje me konsum më të vogël dhe kosto më të ulët për qytetarët. Të krijojë mekanizma nxitës për qytetarët për kursim të energjisë dhe të krijojë një plan veprimi për komunikim me qytetarët e Republikës”, Kishte thënë Shala në Kuvend.