Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media ka pretenduar se ministrat, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Fikrim Damka kanë keqpërdorur 1.1 milion euro.
Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se lidhja e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it, ka qenë e kundërligjshme, përmes së cilës sipas saj është dëmtuar buxheti i shtetit.
“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të së cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro”, ka thënë ajo.

Kjo marrëveshje është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar, por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Donika Gërvalla–Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove.”, ka vijuar deputetja Musliu-Shoshi.
Sipas Shoshit, nënshkrimi i atij memorandumi bashkëpunimi me Caritasin ka qenë i paligjshëm, për shkak se kjo organizatë është regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike.

“Memorandumi është nënshkruar më 16 gusht 2021 nga ministri Damka dhe Caritasi. Statusi ligjor i këtij të fundit është organizatë joqeveritare e regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike. Në këtë rast, Ministria e Zhvillimit Rajonal jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin ne fuqi, që shpenzimi i buxhetit të bëhet në mënyrë siç është vepruar në këtë proces”, ka thënë ajo.
Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve të hetuesisë që të merren urgjentisht me hetimin e këtij rasti.