Anëtari i kryesisë së PDK-së Bernard Nikaj, në një konferencë për media ka thënë se partia që ai përfaqëson e mbështetë edhe iniciativën e LVV-së për themelimin e një komisioni hetimor për energji, por sipas tij këto dy iniciativa të pozitës dhe opozitës dallojnë me njëra tjetrën.
Nikaj, ka theksuar se në seancën e radhës duhet të themelohet komisioni hetimor për energji, në mënyrën siç ata kanë kërkuar.
“Komisioni hetimor, duhet të votohet në seancën e nesërme pa asnjë vonesë, sepse vonesat shkojnë në dëm të xhepit të qytetarëve. Propozimi i sotëm i VV-së, është shumë i cuditshëm sepse vjen një ditë pasi të dal në votim komisioni i propozuar nga opozita. Ky propozim i sotëm është vetëm një tendencë për të zhvleftësuar themelimin e komisionit nga opozita”, ka deklaruar Nikaj.
Edhe pse është shprehur pro një votimi të iniciativës së pushtetit për ta themeluar një komision për energji i cili do t’i hetonte problemet në këtë sektor prej shpalljes së pavarësisë e këndej, ai ka thënë se është hera e parë që një qeveri të kërkoj themelimin e komisioneve hetimor.
“Është për herë të parë që pozita që e ka qeverinë, përdor mjete si komisionet hetimore që janë në dispozicion të opozitës për të hetuar një gjë të tillë. Ne ftojmë Qeverinë ta hetojë çdo çështje, që nga paslufta e deri më sot, çdo person të involvuar qoftë në opozitë apo pozitë”, ka thënë Nikaj.
Tutje Nikaj, është shprehur se përmes kësaj iniciative VV-ja, po dëshiron ta zbehë kërkesën e opozitës për themelimin e komisionit hetimor në sektorin energjetik.