Koordinatori i Departamentit për Drejtësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kërkuar të zbardhet rasti i zhdukjes së mostrave të rastit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Në një konferencë për media, Gruda ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të intervistojë kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari.
“Rasti ‘Dehari’, është një rast tragjik, më të cilin, nuk mund të vazhdohet të bëhet politikë, prandaj kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të intervistojë kryeministrin Kurti dhe ministren Haxhiu për të zbardhur përfundimisht se kush dhe si i zhduki mostrat e rastit ‘Dehari’, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë e këtij rasti tragjik. Prandaj, kërkojmë drejtësi për Rastin Dehari”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti e Haxhiu duhet të sqarojnë publikun, pse po heshtin ndaj akuzave “që i përfshijnë ata direkt në krimin e zhdukjes së mostrave”.
“Ditëve të fundit, opinioni publik është njoftuar më fakte të reja në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit ‘Dehari’ në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë e Drejtësisë. Pretendimet e ngritura që përfshin në këtë rast kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si pjesëmarrës në zhdukjen e këtyre mostrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet ta sqarojnë opinionin publik se çfarë dinë ata në lidhje më zhdukjen e mostrave të rastit ‘Dehari’, cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për të zbardhur të vërtetën e plotë rrethanat e zhdukjes së këtyre provave? Pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të rastit ‘Dehari’?”, shtoi ai.
Sipas zyrtarit të partisë opozitare, shqetësuese janë edhe sulmet e ministres Haxhiu mbi organet e pavarura të sistemit të drejtësisë.
“Në seancën gjyqësore ku ishte e akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës, ajo i bëri presion publik prokurorit të çështjes, duke i kërkuar që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj. ‘Dorëzohu, s’është vonë’, i tha ajo prokurorit. Kur është vonë që prokurori të tërhiqet? Kur të dënohet ministrja Haxhiu?”, tha ai.