Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaq paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.
Në një konferencë për medie, deputetja Blerta Deliu ka thënë se të gjetjet e raportit të DASH-it kanë goditur rëndë shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj.
“Jemi këtu për të diskutuar për të gjeturat e Raportit të DASH-it, të cilat kanë goditur rëndë shtetin e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe po ashtu flasim për një qeveri që nuk është treguar e vullnetshme për t’i trajtuar në përpikëri rekomandimet, të cilat DASH-i i ka dhënë në vitin e kaluar. Kryesisht do të ndalem në dy të gjeturat e këtij raporti. Jemi në vitin e katër të kësaj qeveria prandaj edhe Raporti i DASh-it është tejet i zymtë, tregon më së shumti se si është realiteti i Kosovës. Ky raport është ndër raportet më kredibile që ka Kosova të gjeturat faktojnë se si tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një qeveri e korruptuar, e paaftë, nepotiste dhe abuzuese e kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes dhe asaj së mediave”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pjesë e raportit janë pesë ministra dhe dy zëvendësministra nën hetime për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin.
E rastet “eklatante” të kësaj qeverie sipas deputetes së PDK-së janë të shumta.
“Kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat kanë shpallur fajtore ministren e MINT, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e MPJD, Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë. Rastet eklatante të kësaj Qeverie dhe eksponentëve të tyre gjatë këtij mandati që ndërlidhen me korrupsionin masiv qeveritar, janë tejet të shumta. Aferat e ambasadorit Martin Berishaj, Nagip Krasniqit të KEK-ut, Faruk Mujkës, Ridvan Muharremit dhe Ministres Hajdari lidhur me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore që tejkalojnë 200 milionë euro, deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e miliona borxheve të kompanive nga Ministri Liburn Aliu, vetëm sa forcojnë edhe më shumë këto konstatime të DASH-it”, theksoi ajo.
Deliu-Kodra potencoi se viteve të fundit Kosova ka pësuar rënie në ranglistën për lirinë e medias, si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti, të cilët përveç kërcënimeve e fushatave shpifëse ndaj gazetarëve, kanë ndërmarrë edhe veprime konkrete për të mbyllur një medium nacional.
“Kjo pasqyrë nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik. Përkundrazi, Qeveria, përmes veprimeve të saj ka përkeqësuar edhe mirëqenien e qytetarëve edhe imazhin e vendit në botë. Për këto arsye dhe jo vetëm, Kosova tashmë gjendet edhe nën sanksione ndërkombëtare me qindra-miliona euro të bllokuara. Kjo nuk është Kosova për të cilën është punuar me vite”, tha Deliu-Kodra.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha se në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.
“Disa herë në këtë raport gjendet fjalia “ndërhyrjet politike në drejtësi”. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar përmes ndërhyrjeve në organet e sistemit të drejtësisë. Një gjë kjo të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, theksoi ai.
Gruda vuri në pah edhe problemet e shumta që ka Kosova me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, të cilat përmenden në raportin e DASH-it.