Partia Demokratike e Kosovës(PDK) e ka mbajtur konventën në mbështetje të Bedri Hamzës, kandidatit të saj për kryeministër. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në këtë konventë ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri që i shërben, e mbron dhe e fuqizon popullin e vet, në secilën fushë.
Krasniqi tha se Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova, sepse është lider i dëshmuar, i cili gjatë gjithë karrierës së tij politike ka jetuar me parimet e shërbimit, përgjegjësisë dhe qëllimeve fisnike.
“Nuk kam dyshim aspak se Bedri Hamza do të udhëheq me ndershmëri, integritet dhe përkushtim, për çka Kosova sot ka nevojë më shumë se kurdoherë. Si dikush që ka punuar gjatë me Bedriun dhe e njeh mirë atë, unë ju siguroj se tek Bedriu, Kosova nuk do të gjejë thjesht një Kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë. Prandaj, Bedri Hamza e meriton mbështetjen tonë, sepse Kosova ka nevojë për Bedri Hamzën”, theksoi lideri i PDK-së.
Krasniqi tha se PDK po e nisë një epokë të re, vizionin për të ndërtuar një të ardhme që sjellë mundësi të reja dhe një jetë më të mirë për çdo familje në vendin tonë.
“Kosova meriton shkolla më të mira, spitale më të mira, institucione dhe shërbime më të mira, paga dhe pensione më të mira, punë dhe mundësi më të mira për secilin qytetar, për secilin të ri e të re që dëshiron ta ndërtojë jetën e të krijoj familje në atdheun tonë. Gjendja e vështirë në të cilën jemi tani, nuk guxon të na e përcaktojë të ardhmen. Askush nuk mund ta shkruaj fatin tonë për ne, sepse ne vetë duhet ta shkruajmë vetë fatin tonë. Ju jeni ata që duhet vetë ta përcaktoni të ardhmen tuaj. E bashkë, kështu siç jemi sonte dhe me kryeministrin Bedri Hamza, kjo është e arritshme”, tha kreu i PDK-së.
Tutje Krasniqi tha se PDK është testament i qëndrueshmërisë, i adaptimit dhe i ndryshimit për të mirën e vendit, sepse është histori që flet për njerëzit që nuk u dorëzuan e nuk u ndalën kurrë.
“Kemi pasur fatin e madh që përgjatë viteve, në krye të kemi dy personalitete, të cilët gjithmonë kanë qenë të hapur e të guximshëm që ndryshimin e nevojshëm, ta nisin duke filluar nga vetja. E, duke e bërë veten më të mirë, këta dy e kanë bërë partinë më të mirë, e kanë bërë Kosovën më të mirë. Kjo, para se gjithash, tregon se PDK-ja nuk është një parti rigjide dhe e palëvizshme, por një parti që ndryshon dhe i adaptohet sfidave dhe kërkesave të kohës. Prandaj, sonte, këtu, të gjithë së bashku, i nderojmë udhëheqësit, liderët e shtetit dhe të partisë tonë, Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli”, shtoi ai.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, shpalosi sloganin e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nëse ka një mesazh që dua ta merrni të gjithë ju nga kjo konventë, është bindja jonë se Kosova mundet ma mirë. Ky është edhe slogani i fushatës sonë “Kosova mundet ma mirë”. Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë. Ndërsa, unë si kryeministër, ju siguroj se do ta bëj këtë”, tha Hamza.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar platformën e tij përmes së cilës, ndër të tjera, do t’i përmbushë pesë qëllime: zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes investimeve në arsim, përmirësimin e sistemit shëndetësor, raportet e mira me aleatët, duke synuar anëtarësimin në OKB dhe integrimin e përshpejtuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, me lidhje të forta me pjesët e tjera të kombit shqiptar.
“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50% për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrëfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30%. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro”, ka thënë Hamza.
Hamza ka treguar se do të ofrojë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private, duke siguruar kështu mundësi më të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve.
“Çdo qytetar i Kosovës, i ri apo i vjetër, do të ndihet i vlerësuar dhe i mbështetur nga shteti. Ky është një borxh i kahershëm për qytetarët tanë. Ne do ta përmbushim këtë obligim pa vonesa. Transparenca dhe llogaridhënia nuk duhet të mbeten vetëm fjalë. Për mua, ato kanë qenë dhe mbesin udhërrëfyes i punës sime”, u zotua Hamza.
Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët që ta mbështesin, duke u angazhuar në realizimin e vizionit për ta bërë Kosovën më mirë.
“Ne të gjithë mund të bëhemi më të mirë në shumë mënyra. Mund të bëhemi zyrtarë më të mirë, punëtorë më të mirë, punëdhënës më të mirë, mësues më të mirë, prindër më të mirë, studentë më të mirë. Dua që të gjithë ju të besoni se Kosovën mund ta bëjmë ma të mirë”, tha Hamza.
Në këtë konventë u shfaq një video e shkurtër për ish-liderët e PDK-së Hashim Thaçi e Kadri Veseli, një video përmbledhëse e punëtorive të Bedri Hamzës me qytetarët nëpër komuna, si dhe një video me qytetarë që kërkojnë një të ardhme më të mirë në Kosovë.