Kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka pasur Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Reagimi i partisë më të madhe opozitare, ka ardhur si pasojë e mosmiratimit të Projektligjit i cili do të hapte rrugë për tërheqjen e 30%, të kursimeve pensionale nga qytetarët e Kosovës.
Kjo iniciativë, ishte nisur nga vetë kjo parti, e cila nuk morri votat e mjaftueshme për t’u miratuar në lexim të parë.
PDK, e ka cilësuar Qeverinë e Kosovës, si qeveri jokompetente dhe pa vizion.
“Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në reagimin e tyre thuhet se miratimi i Projektligjit për Trustin, do t’i ndihmonte qytetarët ta kalonin më lehtë krizën ekonomike dhe rritjen e çmimeve.
“Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova”, thuhet në reagim.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë temë, u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Kategorikisht kundër këtij projektligji është shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, deputetët e opozitës, thirreshin në pasojat e krizës ekonomike që ka ndikuar në vend.
Sipas tyre, kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, është kërkesë e qytetarëve dhe jo e tyre.
Me kërkesë për miratim të projektligjit për Trust, ishin mbajtur dy protesta para Kuvendit të Kosovës, ku kishin marrë pjesë qytetarë dhe pjesëtarë të partive politike opozitare.