Nëntëqind ditë të Qeverisë së Republikës së Kosovës drejtuar nga kryeministri Kurti kanë prodhuar shkelje të rendit kushtetues e jo vetëm, sipas zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
E jo më ndryshe, sipas tyre, tregon edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë, ligj ky i shpallur antikushtetues.
“Gjatë këtyre 900 ditëve, fatkeqësisht, Qeveria është marrë shumë pak me qeverisje dhe është marrë tejet shumë me sulme kundër rendit kushtetues të vendit tonë. Siç e dini, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dje e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Zyrtarët Publikë, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Ndonëse shkeljet e pushtetarëve tashmë janë me qindra e po shtohen për çdo ditë, për të shtatën herë më radhë, ky vendim konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të Qeverisë së Albin Kurtit, e karakterizuar për skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme”, deklaroi sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.
Ai vlerëson se gjatë kohës së saj në pushtet, Qeveria Kurti nuk ka sjellë asnjë ndryshim, dhe nga e njëjta vërehet qartazi një kryeneçësi për t’i mbrojtur veprimet e saj joligjore.
Si jo rrallëherë, nga PDK kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme duke e vlerësuar këtë si mënyrën e vetme për të rikthyer vendin në rrugën e duhur.
“Është koha e fundit që të gjithë përgjegjësit për këto veprime të japin dorëheqje ose të shkarkohen për keqmenaxhim në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare. Siç ka thënë edhe kryeministri vetë: “Kush e shkel ligjin është kriminel, kush e shkel kushtetutën është superkriminel”. Prandaj, është koha që sot kryeministri të kalojë nga fjalët në vepra. Në të kundërtën, nëse kryeministri nuk guxon, nuk mundet ose është i paaftë për të mbajtur përgjegjës nëpunësit e tij për keqqeverisje dhe keqqmenaxhim, të lëshojë rrugë dhe t’ia kthejmë mandatin qytetarëve e vendit t’i jepet një Qeveri e re, kredibile, e përgjegjshme dhe e cila rikthen Kosovën në kursin e zhvillimit, integrimit dhe zbatimit të mirëfilltë të demokracisë”, theksoi Nikaj.
Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të pranueshme kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Ligji për Zyrtarët Publikë, Gjykata Kushtetuese kërkon të ndryshohen disa nene