Ministri i Bujqësisë dhe i Ushqimit i Bullgarisë, Kiril Vatev, ka mbërritur të enjten për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast në pikën kufitare në Han të Elezit është pritur nga ministri i BPZhR-së, Faton Peci.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, Vatev së bashku me Pecin, në takimin bilateral që do ta zhvillojnë gjatë ditës, do të diskutojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore.
Krahas kësaj, të dy së bashku do të realizojnë edhe një varg aktivitetesh, duke përfshirë këtu vizitat tek disa agrobiznese vendore, për t’u njohur nga afër me potencialin zhvillimor të prodhuesve vendorë.
Peci dhe homologu i tij bullgar, gjatë kësaj vizite do të bisedojnë edhe për mundësitë e thellimit të shkëmbimeve tregtare në mes të shteteve të tyre, në mënyrë që produktet e Kosovës të jenë pjesë e tryezave bullgare.
“Mirë se erdhe Ministër Vatev!”, ka shkruar Peci në rrjetin social Facebook.