“Instancat e drejtësisë nuk mund të qëndrojnë të heshtur karshi një abuzimi në qendër të Kosovës”.
Kështu ka deklaruar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, për pronat në Prishtinë, për të cilat, ka thënë se janë pronë e dikasterit, të cilin ai e udhëheq, dhe që rasti është denoncuar prej 7 muajsh.
Ai ka thënë se dikasteri të cilin e drejton ka denoncuar të gjithë me emra dhe mbiemra, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga institucionet përgjegjëse, as nga komuna e Prishtinës.
Në emisionin “Five” të RTV Dukagjini, Peci ka treguar edhe për reagimin e tij ndaj Prokurorisë “Çele guri gojën” për të cilën, ka thënë se nuk ka kërkuar që Prokuroria të përgjigjet ndaj tij, por që të bëjë hetimin e rasteve dhe të ketë veprime.
“Qele guri gojën, nënkupton që nuk kanë marrë ndonjë veprim”, ka thënë Peci.
“Në asnjë rrethanë nuk kam kërkuar që Prokuroria t’i përgjigjet një ministri, në këtë rast mua, por të bëjë hetimin e rasteve dhe veprimi të jetë i menjehërshëm, nuk mund ta afatizoj në aspektin kohor. Nuk mundet që shtatë muaj që instancat e drejtësisë të qëndrojnë të heshtur karshi një abuzimi në qendër të Kosovës”, ka vijuar ai.
Sipas tij, në këto prona ka pasur ndërhyrje në toka bujqësore dhe ndërtuar depo dhe lokale afariste, të cilat sipas tij, janë dhënë në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.
“Janë më shumë se shtatë muaj, i jemi drejtuar edhe komunës së Prishtinës, vazhdojmë të mos kemi ndonjë reagim. Ne i kemi denoncuar me emër mbiemër, të gjitha këto prona që janë dhënë në shfrytëzim, janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme”.
Peci: Vilat në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar në pronë shtetërore
Peci po ashtu ka përmendur edhe vilat në Stankaj të Rugovës, ku ka theksuar se janë 25 sosh të ndërtuara në vitin 2017-2018, të cilat janë ndërtuar në pronë shtetërore të institutit bujqësor të Kosovës.
“Janë 25 vila të ndërtuara në vitin 2017-2018 në Stankaj të Rugovës, të cilat janë ndërtuar në pronë shtetërore të institutit bujqësor të Kosovës”.
Ndryshe, të hënën, ministri Peci ka reaguar në një postim në Facebook, duke thënë se janë bërë më shumë se 7 muaj prej që dikasteri i tij ka denoncuar dhe ofruar të gjitha faktet e poseduara se lokalet afariste në zemër të Prishtinës janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë.