Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është deklaruar pas raportimeve për përfitimet e familjarëve të deputetëve të pushtetit në grante bujqësore, duke thënë se janë hequr kriteret diskriminuese dhe programet janë bërë më të qasshme për fermerët, bazuar në meritokraci e transparencë.
Peci përmes një postimi në “Facebook” ka theksuar se mendësitë kriminale pretendojnë se çdo listë e përfituesve duhet të kalojë kah zyra e Ministrit. Ai tha se kanë përfituar mbi 1000 persona grante bujqësore, por në asnjë rast s’ka ushtruar asnjë lloj ndikimi apo intervenimi.
“Nuk më habisin titujt bombastik e as linçimet që vijnë nga mendësia kriminale dhe korruptive pasi që nisen nga vetja dhe nga pretendimi se çdo listë e përfituesve duhet të kalojë kah zyra e Ministrit. Mirëpo jo në rastin tonë. Ne kemi eliminuar kriteret diskriminuese duke i bërë programet tona të qasshme ndaj secilit fermer, duke u bazuar në meritokraci e transparencë!”, ka shkruar ministri i Bujqësisë.
Peci ka shtuar se ka qenë cak i sulmeve nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet lajmeve të rreme, linçimeve dhe ofendimeve.