Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është paraqitur para një objekti në lagjen ”Ulpiana” të Prishtinës e për të cilin thotë se Prokuroria nuk ndërmori asnjë veprim, ndonëse objekti ishte denoncuar nga ministri.
Me një video tjetër të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Peci ka deklaruar se me mosreagimin e Prokurorisë Speciale, veprimtaritë e paligjshme po vazhdojnë të jenë prezente.
“Që nga viti 2012 në këtë objekt dhe përreth tij ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme. Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës para afër një viti, unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam ofruar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit. Përkundër pritjes sonë afro njëvjeçare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Protagonisti kryesor, drejtori aktual i Institutit bën sflilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës në ‘Ulpianë’ qëndron si ‘Luan’ objekti i korrupsionit dhe i zhvatjes së tij. Mirëpo, ky nuk është protagnositi i vetëm. Përveç kësaj, për afër 11 vite, 5 ish-ministrat e bujqësisë përveç se nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim në parandalimin e abuzimeve dhe shfrytëzimit të pronës së Minsitrisë së Bujqësisë, ata madje i kanë lejuar edhe veprimet e tjera.”, ka deklaruar Ministri Peci.
Ndryshe, ky i fundit ka deklaruar se këtë objekt do t’ia kthejë Ministrisë.
“Dje duke u bazuar në përgjegjësitë e mia ligjore dhe kushtetuese, kam marrë vendim që objektin prapa që është pronë e Ministrisë së Bujqësisë, t’i rikthehet titullarit në shfrytëzim”, ka deklaruar ministri.