Është pjesë ku marrin trajtim fëmijët e vegjël të Mitrovicës, por kushtet e kësaj hapësire lënë shumë për të dëshiruar.
Interieri pothuajse i shkatërruar e pastërtia në nivelin jo të duhur janë prezente pothuajse në çdo cep të këtij reparti.
Në hyrje ka një njoftim që tregon se gjendesh në repartin e Pediatrisë, por brenda nuk ngjason më të.
Adresa e vetme publike për prindërit është kjo hapësirë, por nga ta shfrytëzohet vetëm në rastet emergjente dhe atëherë kur nuk kanë mjete financiare për të shkuar në klinika private.
“Këtu për momentin pastërtia nuk është në nivelin e duhur dhe pe shihni edhe vet më kamerë se në çfarë gjendje është. Unë në privat po i dërgoj rregullisht por vetëm këtë herë kam ardhë këtu, krejt kjo shkaku i gjendjes që është”, është shprehur Sali Latifi, qytetar nga Mitrovica
Si mos të mjaftonte kjo, ky repart vazhdo të punojë brenda objektit që nuk është i destinuar për të.
Aneksi i objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, është vendi ku vite më parë ishte ndarë për disa ambulance specialistike të Spitalit.
Drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, thotë se e kanë mjaftë të vështirë që të punojnë në objektin e tyre e ku një pjesë është e ndarë për kujdesin dytësor.
“Situata në shëndetësinë në Mitrovicë është kështu si është. Një numër i madh i ambulancave specialistike të Spitalit të Përgjithshëm operojnë brenda hapësirave këtu. Kjo na interferon në aktivitetet tona të përditshme”, ka thënë Sylejmani.
E, derisa QKMF-ja, ballafaqohet me hapësirë të vogël e Pediatria operon në një pjesë të ndarë, objekti i ndërtuar për këtë të fundit vazhdon të jetë i mbyllur.
Për arsyet e mos hapjes së objektit, Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje.