Ka nisur seanca fillestare ndaj pesë shtetasve serbë, të cilët u arrestuan më 5 prill në Gjakovë, nën dyshimin për shkelje të ligjit për armët.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi për katër prej tyre, duke theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe kanë poseduar armë të ftohta.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po lëviznin të dyshuarit, u gjetën armë të ftohta, ndërsa dy nga të arrestuarit kanë deklaruar se janë të punësuar në institucionet e sigurisë së Serbisë.
Prokuroria kërkon paraburgim për katër “pelegrinët” serbë të arrestuar në Gjakovë
Në seancën përgatitore, i dyshuari Pavle Keagoviq deklaroi se punon si inspektor policie në Krajgujevc të Serbisë, ndërsa Milovan Steviq tha se është mjek stomatolog në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd.
Dy të tjerë janë identifikuar si teknik i komunikacionit dhe inxhinier i pylltarisë.
Arrestimi i tyre është pjesë e një operacioni më të gjerë policor, ku u ndaluan gjithsej 16 persona, mes tyre edhe katër oficerë aktivë të institucioneve të sigurisë serbe, siç ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.