Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të qëndrojë të enjten e 25 janarit për vizitë në Kosovë së bashku me një delegacion shoqërues.
Ai do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën do të ketë një takim nga ora 11:00.
“Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit. Mediat e interesuara për ta përcjellë takimin, luten të jenë në Presidencë më së voni në orën 10:30”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe të qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.