Pensionistët bien pre e mashtrimit se do t’u ndahen pensione shtesë

Një informacion i rremë se do t’u ndahen deri në 500 euro shtesë i ka mobilizuar pensionistët në Prishtinë, të cilët i kanë mbushur korridoret e Shoqatës së Pensionistëve për t’i dorëzuar dokumentet. Për këtë ekziston një njoftim i nënshkruar nga drejtori i shoqatës, por i cili kur është pyetur nga Dukagjini nuk ka dashur të flasë. Ndërsa Qeveria ka konfirmuar se kjo mund të jetë një skemë mashtrimi, andaj u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes

Radha e gjatë e pritjeve nuk është e pazakontë në korridoret e shoqatës së pensionistëve.

Por këtë herë, ata i mblodhi një njoftim për kompensimin e pensionit sipas indeksit të jetesës.

Të njëjtit kishin dëgjuar nga miq e familjarë se kinse për ta do të ndaheshin deri në 500 euro, andaj kanë ardhur për t’i dorëzuar dokumentet.

Mirëpo përpos asaj informate, ata nuk dinë më shumë.

“Kam ardhë se thanë do letra për pensionere me ndreq, deri në 300 euro. U njoftuam nga njëri tjetri. Pres që na i qesin po fjalë borxh”, tha Fatime Grajqevci, pensioniste.

“Kam ardhë mi dorëzu do dokumenta, thanë për regjistrim. U njoftova para një jave, thanë do avokatë po merren me to, mi dorëzu po i pruna vet. Hiç s’di veç kam ardhë mi dorëzu, çka t’bohet për tonë”, tha Isuf Reçica.

Njësoj janë shprehur edhe pensionistë të tjerë prapa kamerave.

Një letër në formë njoftimi për këtë çështje gjendjen në zyrën numër shtatë të Shoqatës së Pensionistëve që mban vulën e saj dhe nënshkrimit e drejtorit Muhamed Qyqalla.

Por, kur Dukagjini e ka pyetur se mbi çfarë baze ka lëshuar këtë thirrje për pensionistët, ai nuk ka pranuar të deklarohet me arsyetimin se nuk është kompetent.

Megjithatë, Qyqalla ishte prezent dhe pranonte dokumentet që dorëzoheshin nga pensionistët.

Por, Qeveria i ka konfirmuar Dukagjinit se ajo nuk ka nxjerrë kurrfarë vendimi që parasheh ndonjë kompensim të tillë.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se kjo mund të jetë skemë mashtruese.

“Ju njoftojmë se për çfarëdo ndryshimi eventual në lidhje me skemat pensionale, Qeveria e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik me kohë dhe në mënyrë transparente. Prandaj, të gjitha informatat që nuk janë komunikim zyrtar i lëshuar nga Qeveria apo ministria përkatëse, në lidhje me temën në fjalë, janë të pavërteta dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Informacione të ngjashme kanë qarkulluar edhe në të kaluarën, andaj Qeveria ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e mashtrimeve dhe dezinformove.

Në këtë përgjigje për Dukagjinin, Ekzekutivi bën apel te qytetarët që rastet e tilla ku u premtohen shuma te parave në këmbim të një pagese tash, t’i paraqesin në organet e rendit.

Më tre prill të këtij viti, Ministria e Financave kishte bërë apel tek qytetarët për kujdes nga përfituesit e skemave pensionale të cilat po kërkojnë të dhënat personale të tyre.

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika