Për çështjen e veriut dhe të dialogut, Kurti “ ka sfiduar” ShBA-në, thotë Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka sfiduar Shtetet e Bashkuara për çështjen e veriut dhe të dialogut me Serbinë, duke theksuar se cilësia e partneritetit në mes të dy vendeve nuk është ajo që do të shpresohej për këto çështje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për çështjen e veriut dhe të dialogut me Serbinë.

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Hovenier ka theksuar se, ndonëse Kosova gëzon një partneritet të mirë dhe të ngushtë me ShBA-në, mënyra se si po trajtohen këto çështje ka qenë një sfidë për administratën amerikane.

“Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra.

Në disa çështje kemi partneritet të mirë dhe të ngushtë. Kemi punuar së bashku në disa gjëra të rëndësishme për të përmirësuar ekonominë e Kosovës dhe jemi përpjekur për ta ndihmuar vendin që të krijojë një sistem ekonomik që iu ofron mirëqenie më të mirë. Kemi arritur përparim të njëmendtë me autoritetet e shtetit të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet mjaft të reja të Qeverisë, që të jenë më efikase në punën e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Por, për këto çështje, më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori amerikan gjithashtu përmendi se shqetësimet e tij nuk janë të izoluara, duke përmendur një deklaratë të fundit nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në lidhje me mbylljen e disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit.

“Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë.

Ne patëm një moment të jashtëzakonshëm dhe do të marr pak kohë që ta lexoj një pjesë të deklaratës, kur hiç më larg se javën e kaluar, pas aksioneve të pakoordinuara kundër zyrave të Postës në veri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: ‘Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të udhëheqësisë së Kosovës. Ne besojmë se ato i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova t’i krijojë. Nëse shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht integrimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që fuqizojnë paqen dhe prosperitetin në vend, që e çojnë Kosovën përpara në rrugëtimin euroatlantik. E nxisim këtë Qeveri të Kosovës që të kthehet – – gjë që sugjeron se nuk jemi në atë pikë tani – në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës’”, ka shtuar Hovenier.

Krahas kësaj, Hovenier theksoi se ekziston një rrezik real lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikan.

Hovenier: Hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika