Flamuri i Serbisë, i vendosur në këtë shkollë të mesme në Komunën e Leposaviqit, është tregues se mësimi aty zhvillohet me planprogram serb.
Por, për investimet në këtë shkollë, udhëheqësit e dikurshëm të komunës së Leposaviqit, nuk ishin mjaftuar vetëm nga buxheti i Kosovës, meqë tenderë për shërbime të njëjta shpallur edhe në Serbi.
Këta tenderë janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për rastin e sulmit në Banjskë, në pjesën ku flet për financimin e terrorizmit e shpërlarjen e parave.
Kontrata për Rindërtimin dhe rehabilitimin e Shkollës së Mesme Nikolla Tesla në Leposavic, i kishte kushtuar buxhetit të Kosovës, rreth 194 mijë euro, ndërkohë në sistemin paralel serb, kishte kushtuar rreth 127 mijë euro.
Kontrata për këtë tender ishte dhënë në korrik të vitit 2020, dhe fituese ishte grupi i Operatorëve Ekonomik nën emrin e Radule Steviq, i futur në listë të zezë të SHBA-së.
Kryetari i tanishëm i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka thënë se të gjitha kontratat e nënshkruara në të kaluarën janë duke u hetuar nga policia e Kosovës.
Mijëra euro nga Kosova e Serbia, në duart e Radule Steviqit shkuan edhe nga tenderë në komuna të tjera përfshirë, Zubin Potokun.
Kryetari i tashëm i kësaj komune thotë se këta tenderë duhet hetuar nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që shton se situata tashmë ka ndryshuar.
“Ne kemi një marrveshje me komunën e Vushtrrisë në mungesë të kapaciteteve tona, zyra e prokurimit, dhe zyra ligjore, na i kryen proceset në bazë të procedurave sic i kërkon sistemi i Republikës së Kosovës…Unë edhe nëse ska hetim do kisha bërë thirrje për hetime në Këto situata”, ka thënë Izmir Zeqiri.
Kompania e mikut të mirë të Milan Radoiciqit, morri nga buxheti i Kosovës, rreth 1 milionë e 500 mijë euro, për shërbime të ndryshme në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut.
Pikërisht për këtë shkollë Steviq morri edhe 58 mijë euro nga sistemi paralel i Serbisë.
Por këto të holla nuk shkuan në xhepin e Radule Steviqit, por në xhepin e Milan Radoiciqit.“Në bazë të përshkrimit ligjor të lartcekur të procesit të shpërlarjes së parasë dhe duke u bazuar në provat e mbledhura nga kjo prokurori, është dëshmuar dhe vërtetuar se i pandehuri Milan Radoićić me vetëdije të plotë, përmes aktivitetit kriminal ka krijuar të hyra në vlera milionëshe dhe këto të hyra përmes bizneseve të regjistruara në emër të pandehurit tjetër Radule Steviç (RAD 028 Zveçan, RAD DOO, RADULE STEVIC B.I.) e ka maskuar origjinën apo prejardhjen e parave dhe të njëjtat përsëri përmes bizneseve të Radule Steviç i ka konvertuar nga mjete financiare në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Pra, nga elaborimi i dhënë më lartë, duke u mbështetur në prova konkrete, shihet qartë se Milan Radoićić përmes Radule Steviq ka arritur që përmes formave të ndryshme të aktivitetit kriminal, të krijojë pasuri të konsiderueshme, duke blerë banesat, ndërtuar vilën, veturat e ndryshme, pagesën e shërbëtorëve të tij, rojeve personale, qiratë e paguara për ish bashkëshorten, që në vijim do të pasqyrohet secila veç e veç”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për vepra penale të terrorizmit, e shpërlajes së parave, për sulmin e 24 shtatorit 2023 që ndodhi në Banjskë të Zvecanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas aktakuzës, Milan Radoiciq nisi mbledhjen e financave nga viti 2017 për blerjen e gjërave që iu nevojiteshin grupit të udhëhequr nga ai, shumica e të hollave shkuan për armatim.