Menaxheri i Departamentit për Shërbime Postare në Postën e Kosovës, Ferki Maxhuni, ka treguar tematikën e pullave të para postare në Kosovë.
I ftuar në “Shpriti i Vikendit” me Xheneta Asllanin, Maxhuni ka thënë se pullat postare të para të Postës së Kosovës kanë filluar shërbimin postar të tyre në mars të vitit 2000.
“Posta ka filluar të shkojë që nga viti 1950, kemi qenë si bashkësi e postave, telefonit dhe telegrafit. Ka funksionuar deri në vitin 1989 me rastin e largimit të dhunshëm të punëtorëve të atëhershëm. Kjo ka zgjatur 10 vite. Kthimi i tyre është bërë me 2 korrik të vitit 1999 dhe menjëherë ka filluar riorganizimi i shërbimit postar. Në mars të vitit 2000 ka filluar shërbimi postar dhe edicioni i parë i tyre më 15 mars të atij viti”, ka treguar Maxhuni.
Krahas kësaj, ai ka thënë se edicioni i parë përmbante pesë pulla postare me tematikë paqen.
Por si gjithçka tjetër, me kalimin e kohës edhe shërbimi postar në Kosovë është modernizuar.
“Shërbimi postar në Kosovë është modernizuar. Ka një kahje të ndryshme, nevojat, kërkesat dhe zhvillimi i teknologjisë modern kanë bërë që shërbimet postare të modernizohen dhe t’i përshtaten kërkesave të tregut”, ka treguar Maxhuni gjersa ka theksuar se tashmë posta tradicionale shfrytëzohet pak nga qytetarët.
Në të kaluarën, siç tregon Maxhuni, rreth 90 për qind e postës përfshinin kartolina dhe letra, gjë të cilën rrallëherë e shohin në ditët e sotme.
Tashmë, pullat postare numërojnë imazhe sikurse këngëtaret e famshme, Dua Lipa dhe Rita Ora, figura e heroinës, Majlinda Kelmendi dhe të tjera.