Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), të premten e 20 janarit ka rekomanduar qytetarët që para përdorimit të vlojnë ujin, veçanërisht ato zona në të cilat ka pasur më shumë vërshime dhe uji është turbulluar.
“Rekomandohen konsumatorët që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në burime”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndërsa, tregohen se cilat janë burimet në të cilat ka pasur turbullira të ujit.
“Ekipet e Institutit Kombëtar kanë ngritur vigjilencën dhe monitorimin e ujit për pije. Janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në disa burime dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat:KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj dhe Fabrika në Drenas”
“Turbullira e shtuar në Kanalin “Ibër Lepenc” e ka vështirësuar procesin e trajtimit të ujit në Fabrikën në Shkabaj dhe atë në Drenas. Këto dy fabrika aktualisht janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit te ujit. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar kufizime në gjitha zonat e shërbimit të KRU-Prishtina”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndër të tjera, IKSHPK njofton qytetarët që pas ndërprerjes së ujit në Mitrovicë e Skenderaj, pritet që në orët e pasdites të rifillojë trajtimi i ujit por me kapacitet të zvogëluar.
“Nga dje datë 19.01.2023 FPU Balicë/Vushtri dhe FPU ne Shipol/Mitrovicë kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skenderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e papërpunuar. Pritet që në orët e pasdites të rifillojë trajtimi i ujit por me kapacitet të zvogëluar”, theksohet në njoftim.
Derisa është shtuar se në rajonin e Pejës ka turbullira të ujit në zonën që furnizohet nga Drini i Bardhë i Radavcit dhe nga burimi Shkozë në Junik.
“KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Burimi “Drini i Bardhë –Radavc” dhe Burimi “Shkozë-Junik”. Turbullira vazhdon të jetë prezente në Burimin “Drini i Bardhë-Radavc” dhe Burimin “Shkozë-Junik”, bëhet e ditur në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndërsa, IKSHPK njofton njashtu se për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi “Jarinë-Klinë” dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga Fabrika e ujit në Klinë. Gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi i ujit drenazhet sistemi “CDF-Deçan”.
Vlen të theksohet se të gjitha mostrat e testuara në laboratoret e QRSHP-Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.
Në rajonin e Gjakovë gjendja e cilësisë së ujit është raportuar të jetë brenda rregullave dhe standardeve të parapara për ujin e pijes.
“KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan dhe Gërqinë.Në zonat e furnizimit nga KRU “Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është brenda rregullave. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm. Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan dhe Gërqinë uji nuk është për pije për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës”, thekson IKSHPK-ja.
Krahas Gjakovës, edhe Ferizaj mbetet komuna ku uji qëndron brenda standardeve për pije.
“KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kacanik. Të gjitha mostrat e ujit që janë marrë dje dhe sot, 19 dhe 20 janar, në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes”, përfundohet në njoftimin e Institutit.
Ndër të tjera, IKSHPK ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës, për të informuar qytetarët me kohë.