Përdorimi i cigareve elektronike nga nxënësit e Prishtinës, një shqetësim i madh për Këshillin e Prindërve

Përhapjen e dukurisë së përdorimit të cigareve elektronike nga nxënësit e Prishtinës, kryetari i KP-së Jeton Demi e sheh si shqetësim të madh, duke theksuar se "mbikëqyrja dhe kontrolli i bizneseve (sidomos në afërsi të shkollave) për produktet dhe shërbimet që i ofrojnë për fëmijët është e vogël. Ndërsa disa shkolla e mohojnë ekzistencën e kësaj dukurie, e disa të tjera kanë shifra të vogla të përdoruesve, e që nuk e konsiderojnë edhe aq "shqetësim"

Përhapja e dukurisë së përdorimit të sistemeve elektronike të shpërndarjes së nikotinës (ENDS) dhe sistemet elektronike të shpërndarjes pa nikotinë (ENNDS), janë pajisje të njohura si “cigare elektronike” në shkollat e kryeqytetit, për Këshillin e Prindërve të komunës së Prishtinës është një shqetësim i madh, ndërsa për disa shkolla nuk është edhe aq i madh.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në komunën e Prishtinës, Jeton Demi, ka shprehur shqetësimin rreth mbikëqyrjes dhe kontrollin e bizneseve (sidomos në afërsi të shkollave) për produktet dhe shërbimet që i ofrojnë për fëmijët.

“Fatkeqësisht bizneset më së paku të mbikëqyrura dhe rregulluara janë ato afër shkollave të cilat ofrojnë shumë produkte të ndaluara e të dëmshme për fëmijët” ka theksuar Demi për Portalin Dukagjini.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi.

Me tutje, ai ka akuzuar bizneset, të cilat sipas tij udhëhiqen nga individë të papërgjegjshëm dhe pikërisht vjen nga institucionet që nuk e kanë prioritet shëndetin e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga ekspozimi ndaj produkteve të rrezikshme për ta.

“Thelbi i krejt kësaj gjendje gjendet në faktin kryesor që jeta e fëmijëve nuk është ende e rëndësishme sa duhet, si për institucionet komunale, ashtu edhe për ato qendrore. Pasojat e kësaj neglizhence do të jenë të rënda për të ardhmen e këtyre fëmijëve dhe gjithë shoqërisë”, ka përfunduar Demi.

Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme ulët “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, ka thënë për Portalin Dukagjini se ka raste të pakta të përdorimit të cigareve elektrike nga nxënësit e shkollës dhe si dukuri nuk është edhe shumë e shprehur.

Ai ka shtuar se gjinia që dominon është gjinia mashkullore, por ka raste edhe femërore, pavarësisht të rralla.

Betim Sylejmani, drejtor i sh.f.m e ulët “Elena Gjika” e ka mohuar plotësisht ekzistimin e dukurisë së përhapjes së pirjes së cigareve elektronike, posaçërisht nga nxënësit e kësaj shkolle.

Ndër të tjera, Sylejmani ka theksuar se “nuk përdoren në ambientet shkollore ku është ai drejtor, qoftë cigaret e zakonshme, ashtu edhe elektronike”.

Sipas tij, menaxhimi i situatave të tilla është i vazhdueshëm dhe ka resurse të mjaftueshme, pa ndërhyrjen e organeve të rendit.

Por, edhe nëse do të haset në një dukuri në të ardhmen, Sylejmani ka potencuar se masat e ndëshkimit janë thirrja e prindërve, zbritet nota e sjelljes, e nëse kjo përsëritet, atëherë nxënësi ballafaqohet me komision disiplinor, i cili vendos suspendim triditor ose parapërjashtim.

Në ambientet brenda dhe jashtë shkollës fillore dhe të mesme ulët, “Naim Frashëri”, përhapja e dukurisë së pirjes së cigareve elektronike nga nxënësit e kësaj shkolle është rritur dukshëm.

“Bazuar në informatat e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve e punëtorëve higjenikë, ka filluar të përhapet dukshëm pirja e cigares elektronike”, ka pohuar për Portalin Dukagjini, Shqipe Vllasalija- Mehmedi, drejtoreshë e këtij Institucioni Arsimor.

Tutje, ajo ka theksuar se informohet nga burimet e jashtme, “informacionet kryesore vijnë në zyre nga jashtë, kur nxënësit i vjedhin në supermarket dhe ato kapen nga kujdestarët e pastaj dorëzohen në Polici.

Sa i përket pyetjes se a ka ndonjë planprogram në lëndët mësimore, qoftë edhe si trajtimi i shkurtër për ndalimin e pirjes së duhanit në objekte shkollore, duke specifikuar edhe cigaret elektronike, drejtoresha Shqipe Vllasalija-Mehmedi, ka theksuar se po “realizohen ligjëratave të shumta duke shfrytëzuar kapacitetet e jashtme, nga institucionet dhe prindërit që trajtojnë dukuritë negative në shkollë. Në shkollë realizohet edhe mësimi me zgjedhje që ka temat pikërisht për vetëdijesimin kundër dukurive negative”.

Në një përgjigje për portalin Dukagjini, drejtori i sh.m.l “28 Nëntori”, Islam Nitaj, ka mohuar përdorimin e cigareve elektronike nga nxënësit. Ai ka arsyetuar se kostoja e lartë ndikon në mospërhapjen e pirjes së cigareve elektronike.

Në rast të paraqitjes së ndonjë rasti në këtë institucion, Nitaj ka pohuar se ndëshkimi i vetëm që e merr është “largimi nga mësimi për atë ditë, e nëse ai e përsërit veprimin, suspendohet për kohë të caktuar”.

Ndërkohë, ai ka përfunduar duke thënë se organet e rendit që janë prezentë në ambientet e shkollës apo oborr, por edhe në rrugë, te nxënësit që konsumojnë cigare, qoftë edhe të thjeshta, e vetmja mundësi ndëshkimi është konfiskimi i cigareve, asgjë më shumë.

Edhe drejtori i sh.m.l “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, Azem Jaha, ka pohuar për Portalin Dukagjini se përhapja e dukurisë së pirjes së cigareve elektronike ka filluar dhe “brenda këtij viti shkollor kanë identifikuar vetëm tri raste, ku dy prej tyre ishin meshkuj, ndërsa vetëm një rast vajzë”.

Ai nuk ka përmendur specifikisht detaje se cilat janë masat ndëshkuese të tjera, përpos tërheqjes së vërejtjes ndaj këtyre rasteve.

Drejtori i Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, Blerim Gërvalla, për Portalin Dukagjini ka mohuar se ekziston dukuria e përdorimit të pirjes së cigareve elektronike nga nxënësit, por edhe nëse ajo do të shfaqej në të ardhmen, masa ndëshkuese do të ishte përjashtimi i nxënësit nga kjo shkollë.

Blerim Gërvalla, drejtor i shkollës, “Shtjefën Gjeqovi”, Prishtinë

Nga ana tjetër, pyetje lidhur me këtë dukuri i janë dërguar edhe Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika