Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska

Në Banja Luka, një paradë ceremoniale do të mbahet në Trg Krajine me rastin e 9 Janarit jokushtetues, Ditës së RS.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Srpska më 9 janar.

Ceremonia për shënimin e kësaj dite jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

Autoritetet e entitetit të Republikës Srpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Srpska është antikushtetues.

Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Srpska.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Srpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

“Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të ditës antikushtetuese të Republikës Srpska, i bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

“BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Srpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Schmidt shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Srpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Srpska” nuk mund të jetë 9 janari, datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran, ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Srpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

“Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike”, i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për media e BE-së.

Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Srpska.

Shija e redaktorit

Sot fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për...

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Të fundit nga rubrika