Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, Haki Krasniqi, ka thënë se Qeverie e Kosovës nuk është duke e zbatuar ligjin njësoj për të gjithë.
Ai ka theksuar se shërbyesit civilë dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, kanë qenë pjesë e grevës, por ata sipas tij, janë paguar kurse punëtorët e sektorit të arsimit jo.
“Ligji nuk po trajtohet njësoj, shërbyesit civilë kanë qenë në grevë edhe punëtorët e UP-së, kanë marrë paga kurse ne jo. Edhe në Gjykata e administrata ka pasur grevë dhe kanë marrë pagë, të vetmit punëtorët e arsimit nuk kanë marrë paga”, ka thënë ai.
Ndërkaq, analisti Ylli Hoxha ka thënë se vendimi për të mos i paguar mësimdhënësit është ligjor, por sipas tij, nuk është i drejtë.
Edhe Hoxha, ashtu sikurse Krasniqi, ka thënë se ligji nuk është duke u zbatuar në mënyrë të drejtë për të gjithë. Sipas tij, ka mësimdhënës që nuk kanë qenë pjesë e grevës, të cilët nuk e kanë marrë pagën për punën e bërë.
Këtë problem e ka theksuar edhe anëtari i organizatës ORCA, Dibran Hoxha, i cili ka thënë se tema e pagave ka shkaktuar kaotizëm, teksa ka thënë se ka mësimdhënës që nuk janë paguar edhe pse kanë punuar.