Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë vizituar jugun e Kosovës për të parë efektet pozitive që ndihma e BE-së ka dhënë në zhvillimin ekonomik, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se përfaqësuesit kanë vizituar Kooperativën Bujqësore të udhëhequr nga gratë në Krushë të Madhe, ”Shtëpia e Fisnikëve” (muze dhe galeri), verarinë familjare “Vinica Petroviq” në Hoçë të Madhe, dhe verarinë “Bodrumi i Vjetër” në Rahovec. Të gjitha këto kanë qenë përfituese të granteve të BE- së për zhvillim.
Njëherësh, ata vizituan Kishën varrezore të Shën Gjonit në Hoçë të Madhe.
“Me dy raunde të mbështetjes financiare zemërgjerë nga BE-ja në vitin 2014 dhe 2020, në shumën prej më shumë se 400,000 euro, ne kemi arritur të rrisim prodhimin tonë të turshive dhe ajvarit nga 600 në 1,200 tonë. Gjithashtu e kemi diversifikuar prodhimin tonë që tani përfshinë 43 produkte të ndryshme”, ka thënë Fahrije Hoti, drejtoreshë e Kooperativës Bujqësore në Krushë të Madhe dhe njëherësh, fituese e Çmimit “Evropianja e Vitit 2022” të ndarë nga BE në Kosovë.
Hoti ka thënë se kooperativa është formuar me qëllim të mundësisë së vetfinancimit të grave të veja nga Krusha e Madhe. Me ndihmën e BE-së, tashmë kooperativa punëson 50 gra, pesë burra dhe 20 punëtorë sezonalë shtesë e njëherësh, eksporton në nëntë vende të BE-së.