Përfitimet dhe sfidat e Kosovës nga anëtarësimi në KiE

Duke marrë parasysh sistemin joefikas të drejtësisë e zvarritjen e rasteve, institucionet e vendit mund të përballen me raste të shumta të cilat nëse vërtetohet shkelje, Kosova do të duhej të paguante dëmshpërblim për secilin rast të shkelur

Ndërtesa e Këshillit të Evropës, Strasburg, Francë.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte arritje e madhe për Kosovën, për avancimin e vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Kështu e kanë vlerësuar politologët, të cilët thonë se ky anëtarësim tregon pjekurinë dhe vullnetin e shteteve për avancimin e proceseve demokratike.

Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Për Leonora Kryeziun, e cila drejton Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), përfitimet për Kosovën nga anëtarësimi në KiE janë të shumta.

Përfitimet dhe sfidat

Sipas Kryeziut, përpos çasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), dhe përfaqësimit në Asamblenë Parlamentare, KiE ka mekanizma të shumta të cilat vendet anëtare i kanë në dispozicion për t’i shfrytëzuar dhe për t’u bërë pjesë.

Siç thekson ajo, marrë parasysh sistemin joefikas të drejtësisë e zvarritjen e rasteve, institucionet e vendit mund të përballen me raste të shumta të cilat nëse vërtetohet shkelje, Kosova do të duhej të paguante dëmshpërblim për secilin rast të shkelur.

 

Leonora Kryeziu, e cila drejton Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

“Me anëtarësim për herë të parë hapen mundësitë për punësim/angazhim të kosovarëve nëpër institucione të Bashkimit Evropian. Si çdo shtet tjetër, Kosova mund të ballafaqohet me ankesa të shumta drejtuar kundër saj në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut”, është shprehur Kryeziu për Portali D.

Tjetër sfidë për Kosovën, ajo konsideron të jetë edhe mungesa e përvojës diplomatike dhe kuadrove profesionale për angazhim në një organizatë si KiE.

“Duhet përgaditje dhe ngritje të kapaciteteve për të marrë përsipër përfaqësimin në këtë organizatë”, shtoi ajo.

Mundësia që shtetasit e Kosovës ta sfidojnë drejtësinë kosovare, për politologun Belul Beqaj po kosniderohet të jetë përfitim i madh.

“Përfitimi më i madh është mundësia që çështja e lirive dhe të drejtave të përfundojë në Gjykatën e Strasburgut”, ka thënë ai për Portali D.

Krahas përfitimeve, nuk do të mungojnë as sfidat me të cilat Kosova do të ballafaqohet në rast të anëtarësimit.

“Sfida kryesore do të lidhet me harmonizime të ligjeve”, shtoi ai.

Belul Beqaj – politolog

Aplikim i duhur në kohën e duhur

Drejtoresha ekzekutive e PIPS, Leonora Kryeziu, konsideron se aplikimi i tanishëm i Kosovës për t’u bërë pjesë e KiE-së po ndodh në kohën e duhur.

Kjo, sipas saj, për vetë faktin gjeopolitik dhe mosprezencën e Rusisë në këtë organizatë.

Ajo ka theksuar se, i njëjti, aplikim nuk është dërguar më herët për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë të cilët “nuk kanë qenë të gatshëm që ta përkrahin një proces të tillë”.

Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka pasur mundësi të aplikojë për anëtarësim në KiE, një aplikim ka qenë i përgaditur në kohën kur Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Bankën Botërore dhe IMF. Përveç kësaj, edhe proceset e brendshme politike dhe jostabiliteti politik në vend ka bërë që Kosova të mos jetë e gatshme për implementimin e reformave”, ka thënë ajo.

Ndonëse si proces mund të zgjasë me vite, Kryeziu beson se, i njëjti, do të përfundojë me sukses për Kosovën.

Megjithatë, siç thotë ajo, kjo varet edhe nga përkrahja e partnerëve, të cilët janë kyç në përfshirjen për diskutim të aplikimit të Kosovës.

“Sigurimi i mbështetjes së SHBA-ve në këtë proces është vital për përmbyllje të suksesshme të këtij aplikimi”.

SHBA-ja përkrah aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën, pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kështu ka deklaruar për Portali D, zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil, duke shtuar se vendimi për anëtarësim kërkon pëlqimin e shteteve anëtare të KiE-së.

Ilustrim

“Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të SHBA-së”, ka deklaruar Brassil.

Pos, SHBA-së, pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë janë deklaruar edhe Gjermania dhe Britania e Madhe.

Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Deputeti gjerman, Knut Abraham, kishte deklaruar se ka pyetur ekzekutivin e tij nëse do ta mbështeste aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm dhe se përgjigjja ka qenë pozitive.

Abraham kishte publikuar një letër, ku thuhej se Qeveria Federale e Gjermanisë “mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Është e rëndësishme të qëndrojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës”, thuhet në letrën që ka shpërndarë deputeti Abraham.

Ilustrim

Po ashtu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i ka uruar sukses Kosovës në aplikimin e saj në Këshillin e Evropës.

Abbot, përmes një postimi në Facebook, aplikimin e Kosovës e ka cilësuar si një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.

“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj”, kishte shkruar ai.

Ndërkaq, deri më tani Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Foto: REL

Çfarë është Këshilli i Evropës?

E themeluar në vitin 1949, kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Si organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë, Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika