Përfitimet e Kosovës nga Komuniteti Politik Evropian

Njohësit e politikës kanë mendime të ndryshme në lidhje me Komunitetin Politik Evropian. Disa nga ta e shohin si mundësi të mirë për Kosovën dhe nuk e shohin si pengesë ndaj procesit të Berlinit, pasi kjo sipas tyre nuk do të ketë sistem burokratik. Ndërsa njohës të tjerë kanë theksuar se ky komunitet duhet të ketë ligje me të cilat mund të funksionojë, e që ato krijohen nga traktatet e shteteve anëtare

Kancelari Olaf Scholz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e Komuniteti Politik Evropian në Pragë të Çekisë

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e cila ka ardhur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për vendet të cilat kanë vlera të përafërta me shtetet e Bashkimit Evropian(BE), por që ende nuk i plotësojnë kriteret për të qenë anëtare të BE-së.

Të enjten e 6 tetorit, liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane janë takuar në Pragë të Çekisë.

Kosova për herën e parë ka marrë pjesë si një shtet me të drejta të barabarta në këtë samit.

Se çfarë strukture hierarkike do të ketë Komuniteti Politik Evropian, ka treguar njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku.

Arbnor Sadiku, Analist

“Bashkësia Politike Evropiane nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni të ri që ka administratë dhe burokraci, por takim të krerëve të shteteve”.

Sipas Sadikut, ky komunitet “duhet të shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin në mënyrë shumë konkrete, lidhur me sfidat që preokupojnë sot hapësirën gjeopolitike të Evropës, veçanërisht sigurinë, ndryshimet klimatike, krizën energjetike etj.”.

Por mendim të ngjashëm ka ndarë edhe analisti Gazmir Raci, i cili një gjë të tillë e ka vlerësuar si të dobishme për Kosovën, pasi sipas tij “Kosova u trajtua barabartë dhe nuk ka asnjë pengesë që mund ta sfidojë prezencën e saj në çdo nismë ndërkombëtare”.

Gazmiri Raci, njohës i politikës

Më tej, Raci ka shtuar se Kosova është bërë pjesë e arenës ndërkombëtare, nga e cila mund të përfitojë aleanca strategjike që “do t’ia garantojnë Kosovës ekzistencën e saj në arenën ndërkombëtare në këtë kohë të luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë”.

“Ne tashmë nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë kolektive, por edhe kontribuues të saj përmes NATO-s, dhe të tjera iniciativave”, ka përfunduar Raci.

Por njohësi i politikës, Agron Hoti, ka treguar për Portalin Dukagjini se Komuniteti Politik Evropian për të funksionuar, i nevojitet një bazë ligjore, e cila sipas tij arrihet nëpërmjet një traktati.

Politologu, Agron Hoti

“Për të funksionuar Komuniteti Politik Evropian duhet që së pari të hartohet dhe të ratifikohet baza ligjore, pra një traktat i ri Evropian”.

Por, Hoti është shprehur skeptik se mund të ndodhë një traktat i tillë, pasi sipas tij, ai do të refuzohej nga Gjermania.

“E hartimi i një traktati të tillë do të kishte vështirësi, për faktin se tanimë kemi një ripozicionim të Gjermanisë karshi sigurisë së cenuar evropiane, dhe se Gjermania, ashtu siç s’kishte pranuar në vitin 1952 të kontrollohej nga Franca, s’do të pranojë as tash”, ka theksuar ai.

Ai ka theksuar se “Komuniteti Politik Evropian do të ngelet një iniciativë në letër, siç kishte ngelur në vitin 1952, e asgjë më shumë, ashtu sikurse nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në Ballkan Perëndimor”.

Për fund, Hoti ka thënë se nuk beson se mund të realizohet një iniciativë e tillë, e lëre më të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”.

Kështu kishte thënë më 9 maj të vitit 2022, presidenti i Francës, Emmanul Macron.

Ai kishte theksuar se anëtarët e kësaj organizate nuk do të thotë se mund të bëheshin pjesë e Bashkimit Evropian.

Edhe pse kjo nismë ishte mirëpritur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, ai kishte shtuar se BE-ja nuk do të ndalojë procesin e pranimit të vendeve, të cilat veçse kanë nisur procesin e anëtarësimit.

“Ne duhet të gjejmë mënyra që kjo trimëri të mos zhgënjehet”, kishte përfunduar Scholz.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika