Në lagjen “Marigona” në fshatin Preoc, katër vetura janë përfshirë nga zjarri të premten rreth orës 10:30.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka thënë se dy prej veturave janë përfshirë tërësisht nga zjarri, ndërsa dy të tjera pjesërisht.
Sipas tij, nuk ka pasur të lënduar në këtë incident.
“Rreth orës 10:30, është pranuar informata për një zjarr në një lagje në fshatin Preoc. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Informacionet e para nga vendi i ngjarjes tregojnë për dy vetura të përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë ai për Dukagjinin.
Ndërsa, nga ana e tij thuhet se në koordinim me prokurorin e shtetit, Policia e Kosovës ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.