Në orët e mëngjesit zjarri e kaploi shumicën e kësaj fabrike të mishit në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
Përderisa thertorja nuk u prek nga flakët, depoja u përfshi e tëra.
Policia ishte lajmëruar rreth orës 5 e 30 të mëngjesit, e rreth 40 minuta më vonë aty kishin qenë zjarrfikësit.
“Menjëherë ekipet e zjarrëfikësve janë dal në vendin e ngjarjes, me të mbërritur në vendin e ngjarjës kanë vërejtur që ka qenë e përfshirë gjithe depoja e fabrikës “Apetit Group”. Zjarrëfikësit kanë intervenuar menjëherë dhe diku rreth orës 06.10 minuta, zjarri është future nën kontrollë, është largu rreziku”, ka deklaruar Samed Shkodra – Zv.Komandant i Zjarrfikësve.
Gjatë intervenimit, zëvendëskomandanti i Zjarrfikësve, tha se një prej pjesëtarëve të Brigadës së Prishtinës kishte marrë lëndime.
“Gjatë këtij intervenimi është lënduar edhe një zjarrëfikës i joni por ka marr trajtim prej Urgjencës dhe tash është vec në shpi, gjithcka është në rregull me të”, ka theksuar Shkodra.
Zjarri u vu nën kontroll gati një orë pas mbërritjes së zjarrfikësve, dhe sipas Policisë, ka pasur vetëm dëme materiale, vlera e të cilave nuk dihet.
“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Babimovc. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet nga Policia.
Pronarët e fabrikës së mishit nuk patën vullnet të deklaroheshin për media.