Përfundon afati i aplikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Mandati pesëvjeçar i komisionit qeveritar për njohjen e statusit të grave dhe burrave të dhunuar seksualisht në luftë tashmë ka përfunduar me, gjithsej, 1 mijë e 935 aplikacione

Instalacionin “Mendoj për ty”, i organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Prishtinë 2015

Me fillimin e kësaj jave janë mbyllur dyert e Komisionit për njohjen e statusit të grave e burrave të dhunuar seksualisht në luftë.

Të dielën e 5 shkurtit ka përfunduar mandati pesëvjeçar i komisionit qeveritar, nga i cili do të shqyrtohen vetëm aplikimet që janë depozituar deri në atë ditë.

Anëtari i sekretarisë së komisionit, Labinot Bala ka treguar se që nga fillimi i procesit komisioni ka pranuar gjithsej 1 mijë e 935 aplikacione.

Ndërsa, së fundmi është iniciuar plotësimi i ligjit për zgjatjen e afatit për aplikim dhe ka filluar diskutimi publik, ka thënë drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.

Ajo ka treguar se kanë dorëzuar rekomandimet e tyre, me kërkesën që afati për aplikim të mos kufizohet në dy vitet e ardhshme, meqë krimet e luftës nuk parashkruhen.

Në një intervistë për KosovaPress, Rushiti ka thënë se që nga viti i kaluar me tri organizatat e tjera të mandatuara kanë bërë thirrje që të bëhet zgjatja e afatit për aplikim. Sipas saj, tashmë ky proces është në vakuum ligjor dhe të mbijetuarit nuk mund të aplikojnë.

“Sot e kemi një vakuum ligjor, të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk mund të aplikojnë, pasi mandati i komisionit është jashtëligjor prej periudhës 5 shkurt. Aktualisht jemi duke i deponuar ne si organizata, por edhe organizatat e tjera kërkesat tona në raport me hapjen e ligjit për vlerat e luftës në raport me mandatin e komisionit”, ka thënë ajo.

“Është pak shqetësuese fakti se në mënyrën kur është hapur si ligj është thënë se ky mandat mund të shtyhet deri në vitin 2025, çka për ne paraqet shqetësim në vetvete, për faktin që afati për aplikim të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës për t’u njohur të drejtat dhe beneficionit që ua garanton ligji, nuk duhet të afatizohet”, ka deklaruar tutje Rushiti.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka shtuar se afati për aplikim nuk duhet të ketë afat të caktuar meqë limiton gratë e burrat e dhunuar seksualisht.

“Deri më datë 8 shkurt është e hapur mundësia për të deponuar edhe arsyetim edhe fakte të tjera se pse duhet të jetë më gjatë dhe këtë drejtim organizatat joqeveritare veç i kanë deponuar kërkesat e veta… Ne fillimisht jemi munduar të arsyetojmë pse duhet të jetë i palimituar, për faktin që natyra e krimit të dhunës seksuale dallon nga natyra e krimeve të tjera. Jo vetëm të mbijetuarit, por edhe familjarët e tyre ende jetojnë të rrethuar nga stigma, paragjykimi, turpi dhe nuk është e lehtë që të merret ai vendim në familje”, ka shtuar ajo.

Përmbyllja e afatit për aplikim, siç ka thënë Rushiti, është dekurajuese për vetë viktimat e dhunës seksuale.

“Është jo inkurajim për faktin që me vite të tëra në pesë vitet e fundit organizatat joqeveritare por edhe institucionet janë munduar ta çojnë mesazhin pozitiv te familjarët, te të mbijetuarit, te komuniteti për t’i fuqizuar ata dhe ato për të aplikuar. Fakti që tash e kemi këtë vakuum ligjor pa dyshim që është një hap prapa dhe kjo mund t’i demotivojë shumë familjarët për t’iu qasur institucionit… Frika ekziston që kjo mund të zgjasë deri katër apo gjashtë muaj si çdo legjislacion i mundshëm, diskutimet në grupe parlamentare e kështu me radhë”, ka përfunduar Rushiti.

Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.

Projektligji për plotësimin e ligjit në fuqi përcakton afatin e aplikimit edhe për dy vjet të tjera, deri në maj të vitit 2025. Ai është lansuar edhe në platformën online për konsultime me publikun.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika