Një grup qytetarësh serbë të mbledhur në Rudar të Zveçanit, tashmë e kanë përfunduar protestën e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”.
Siç ka raportuar ekipi i RTV Dukagjinit, i cili ka qëndruar gjatë kësaj kohe në veri për ta përcjellë ngjarjen, protesta ka përfunduar e qetë.
Turma është shpërndarë.
Në fillim të protestës, qytetarëve serbë iu drejtua djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, i cili ka falënderuar të gjithë të pranishmit në tubim.
Pantiq akuzohet për sulm ndaj zyrave të komisionit komunal zgjedhor në veri, ku ishin sulmuar me shok-bomba edhe zyrtarët policorë dhe ata të KQZ-së.
“Këto barrikada nuk janë ngritur vetëm për shkak të babait tim. Babai im është pika e fundit në detin e lëvizjeve të njëanshme, arrestimeve dhe keqtrajtimeve të popullit serb. Ai ka jetuar gjithë jetën këtu, nuk ka asnjë të metë në karrierën e tij, asnjë njollë. Ai është fajtor vetëm sepse është serb”, ka thënë Pantiq.
Në mesin e të pranishmëve, ishte edhe ish-ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.
Protestuesit thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por janë kundër Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Ata i dënuan arrestimet në veri dhe dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës.
Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, ishte “frikësimi” i popullit serb.
Sipas përfaqësuesve të këtij shtabi, organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim si dhe të ambasadorit gjerman, Jorn Rohde.
Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.
Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se në protestën e cila është paralajmëruar të mbahet në veri të Mitrovicës do të kujdeset që të ruajë rendin dhe qetësinë publike.
“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga PK.
Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve. Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 13-të.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në mbrëmje janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës.